Friday, November 6, 2009

Nobeli 2009 Ekonomi

ADRIAN CIVICI

Në këtë gjendje të trazuar në të cilën ndodhen financat dhe ekonomia botërore, emri i ekonomistit që do laureohej me çmimin Nobel në ekonomi për vitin 2009 u prit me mjaft interes nga të gjithë. Më shumë se sa thjesht vlerësimi apo kurorëzimi i përpjekjeve shkencore apo teorisë së tij, këtë vit ky çmim shihet edhe si një mesazh i lidhur me shqetësimin më të madh të këtyre dy viteve të fundit. Pse lindi kjo krizë e vështirë financiare? Kush është fajtori apo fajtorët? Si mund të dilet sa më me pak dhimbje prej saj? A kanë qenë të drejta masat që u morën për përballimin e saj? Dhe në fund të fundit: sa i vlefshëm është ky mesazh për të ardhmen? «Bookmaker”-sat e kësaj fushe kishin javë që ofronin “bastet” e tyre. Më i favorizuar dukej ekonomisti amerikan W.Fama i shkollës së biznesit në universitetin e Chicago-s me teorinë e tij mbi «tregjet eficente». Pas tij renditeshin si favoritë edhe P.Romer i Universitetit të Stanford-it, i njohur për studimet e thelluara në «ndikimin e teknologjive të reja në rritjen ekonomike dhe zhvillimin» dhe idenë e organizimit të qyteteve sipas rregullave precize që stimulojnë zhvillimin; K.French i Universitetit të Dartmouth-it, R.Barro i Harvard-it dhe E.Fehr i universitetit të Zyrihut. Por, qarqet akademike dhe ato politike u treguan të matura deri në minutën e fundit për të qenë të sigurt se kush do ta fitonte Nobel-in në ekonomi. Aq më tepër që në dhënien e këtij çmimi surprizat janë çdo çast prezente. Presidenti Obama që fitoi Nobel për Paqen këtë vit, ishte renditur i 26 nga bookmaker-sat në parashikimet e tyre. E veçanta e çmimit Nobel në Ekonomi është se deri më sot atë nuk e ka fituar akoma asnjë grua.
Dhe me sa duket, këtë vit ndodhi surpriza e madhe. Çmimi jo vetëm që nuk iu dha asnjë prej «pretendentëve» të evidentuar, por mbi të gjitha iu dha ekonomistes amerikane Elinor Ostrom e universitetit të Indiana-s, femra e parë që do mbajë këtë çmim në gjithë historinë e çmimeve Nobel në Ekonomi si dhe ekonomistit amerikan Olivier E.Williamson i universitetit të Bercley në Kaliforni. Të dy ekonomistët u vlerësuan për punimet e tyre në fushën e «qeverisjes ekonomike», dhe në mënyrë më specifike: Ostrom për demonstrimin se si «bashkëpronësia mund të administrohet në mënyrë efikase nëpërmjet shoqatave të përdoruesve», dhe Williamson për evidentimin e faktit se si «tregjet dhe organizatat hierarkike, nga këndvështrimi i ndërmarrjeve, kanë struktura qeverisjeje alternative të cilat dallohen nga mënyra se si i zgjidhin konfliktet e interesit». Siç duket, çmimi Nobel në Ekonomi vazhdon të mbetet «pronë» e amerikanëve, të cilët kanë fituar 45 të tillë, nga 64 gjithsej të atribuuar deri më sot.
Mesazhi themelor i këtij çmimi Nobel duket se është pikërisht interesi dhe rëndësia e madhe që po merr çdo ditë e më tepër koncepti dhe praktikat e «qeverisjes ekonomike» si në plan mikro ashtu dhe në atë makro, për të ardhur deri tek ideja e një qeverisje ekonomike globale. Nga kriza e tanishme u nxor një konkluzion fondamental: niveli i lartë i globalizimit të ekonomisë, tregjeve apo financave botërore e favorizoi shumë përhapjen e shpejtë të krizës në gjithë globin si dhe infektimin prej saj të pothuajse të të gjithë vendeve të botës. Edhe recetat për daljen prej saj, dhe mbi të gjitha për të krijuar një sistem mbrojtës e imunizues për të ardhmen, duket se kalojnë përsëri nëpërmjet «përmirësimit të sistemit të qeverisjes globale». Konkluzionet e takimeve të fundit të G20, OKB-së, FMN-së dhe Bankës Botërore, OBT-së, Bankave Qendrore, Bashkimit Europian etj., kanë nxjerrë në evidencë një mesazh të qartë: «është urgjente që të krijohet një sistem i ri rregullimi e qeverisjeje botërore bazuar në parime më të drejta të shpërndarjes e proporcioneve të vendimmarrjes në nivel global, në rregulla më të qarta për tregtinë botërore, funksionimin dhe transparencën e sistemit financiar ndërkombëtar, administrimin e të mirave publike globale si dhe mënyrat e përdorimit të shpenzimeve publike». Dialogu dhe konsensusi i «aktorëve» ekonomikë e institucionalë në të gjitha nivelet është çelësi i zgjidhjes së shumë problemeve në raport me sfidat ekonomike, financiare, sociale e mjedisore që po përballet sot globi, qofshin këto sfida lokale, kombëtare apo ndërkombëtare. Ekonomistët e laureuar i përkasin rrymës «institucionaliste» në ekonomi, e cila e vë veçanërisht theksin në rolin e institucioneve dhe cilësinë e tyre në nxitjen apo frenimin e rritjes ekonomike, uljen apo ngritjen e kostos të produkteve apo aktiviteteve ekonomike e financiare, në rritjen apo uljen e nivelit të konkurrueshmërisë së ekonomisë së një vendi apo sektorëve të veçantë të tij etj. Aksionet dhe veprimet kolektive të koordinuara e në konsensus me objektiva të qarta ndërmjet aktorëve kryesorë të tyre si dhe e famshmja «kosto e transaksioneve» në të gjitha nivelet mikro e makro duket ka përbërë edhe pikën nevralgjike që e ka shtyrë komisionin e Akademisë Suedeze të Shkencave që të atribuojë këtë çmim në 2009. Punimet e dy nobelistëve të rinj janë shumë koherente me shqetësimin aktual. Gjatë njoftimit të fituesve, anëtari i komitetit Nobel e theksoi qartë se, «ata duan të kuptojnë organizatat që nuk janë thjesht treg.... dhe të tregojnë se si këto institucione mund të zgjidhin konfliktet».
Ideja e parë për të patur një «çmim Nobel» në ekonomi vjen nga P.Asbrink, guvernator i Bankës suedeze që është Banka Qendrore më e vjetër e botës. Në kuadrin e 300-vjetorit të bankës, Asbrink krijoi një fondacion kërkimor të quajtur «Fondacioni i jubileut të Bankës së Suedisë» dhe i propozoi këshilltarit të tij ekonomik A.Lindbeck si dhe ekonomistëve të shquar E.Lundberg dhe G.Myrdal që të reflektonin për mundësinë e krijimit të një titulli të veçantë të «çmimit Nobel» në ekonomi. Institucionalisht, ideja u shtrua për diskutim në një takim të përbashkët të Bankës së Suedisë, Fondacionit Nobel dhe Akademisë Mbretërore të Shkencave të Suedisë. Shumë anëtarë të Akademisë Mbretërore, duke patur parasysh procedurat dhe përmbajtjen e dhënies së këtij çmimi në shkencat ekzakte, shfaqën rezerva për aspektin rigoroz shkencor të shkencës së ekonomisë. Por Lundberg dhe Myrdal arritën të jepnin argumentet e nevojshme përballë skepticizmit të Akademisë Mbretërore, duke bërë që votimi në favor të akordimit të këtij titulli të bëhej në unanimitet. Në maj të 1968, Banka e Suedisë, Fondacioni Nobel dhe Akademia Mbretërore ranë zyrtarisht dakord për rregullat dhe kriteret e atribuimit të «çmimit Nobel» në ekonomi, të cilat u kodifikuan nga Qeveria suedeze në janar 1969. Komiteti i parë i vlerësimit të kandidaturave përbëhej nga: B.Ohlin (President i komitetit, Shkolla Ekonomike e Stokholmit); E.Lundberg (Shkolla Ekonomike e Stokholmit); I.Svennilson (Universiteti i Stokholmit); H.Wold (Universiteti i Upsalas-ë, Universiteti i Goteborgut); A.Lindbeck (Universiteti i Stokholmit). Çmimi Nobel në ekonomi është i vetmi çmim që jepet nga Fondacioni Nobel pa qenë pjesë e specifikuar e testamentit të Alfred Nobel, por ai i nënshtrohet të gjitha rregullave të çmimeve të tjera Nobel. Ashtu si për çmimet në fushën e fizikës, kimisë, mjekësisë etj., ai jepet në datën 10 dhjetor të çdo viti nga mbreti i Suedisë në përgjigje të zgjedhjes së bërë nga Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë. Duke filluar nga viti 2006, pjesa monetare e këtij çmimi është 10 milionë korona suedeze ose afërsisht 1 milion euro.
Çmimi Nobel në ekonomi është bërë shpesh objekt debatesh e diskutimesh të shumta, pjesa dërrmuese të cilave konvergojnë në mendimin dhe pretendimin se Alfred Nobel nuk kishte menduar kurrë të jepte një çmim për këtë disiplinë si dhe në pretendimet se ekonomia nuk mund të cilësohet dhe vlerësohet si një disiplinë shkencore e mirëfilltë. Frederich Hayek, përfaqësues i shkollës liberale austriake të ekonomisë dhe laureat i çmimit Nobel në ekonomi në 1974, shprehej se “po të kishin kërkuar mendimin e tij mbi këtë çmim, ai nuk do ta kishte inkurajuar këtë iniciativë”. Ndërkohë, Gunnar Myrdal, gjithashtu laurat i këtij çmimi ka deklaruar se, “arsyeja pse ky çmim nuk duhet të jepet është pikërisht fakti se ai iu akordua një konservatori si Hayek-u”. Zgjedhja e laureatëve kritikohet dhe për faktin se ajo favorizon shpesh ekonomistët e cilësuar si “ortodoksë”, që pothuajse të gjithë i përkasin “Shkollës së Çikagos” dhe janë amerikanë. Ky lloj qëndrimi konstatohet vetëm në rastin e çmimit në ekonomi, sepse në rastet e fushave të tjera nuk konstatohet një ndjeshmëri e tillë. Një tjetër qëndrim kritik është dhe dyshimi se a ka më të vërtetë çdo vit ekonomistë aq të shquar që mund të meritojnë çmimin Nobel, apo thjesht për hir të çmimit duhet gjetur pa tjetër një ekonomist i shquar. Në përgjigje të këtij shqetësimi, duke filluar nga viti 1995, Akademia Mbretërore e Suedisë e zgjeroi spektrin e dhënies se këtij çmimi, në radhë të parë duke modifikuar strukturën e komitetit vlerësues (futjen e dy jo ekonomisteve në jurinë prej 5 deri 8 anëtarësh) dhe së dyti, duke pranuar kandidatura të shkencave politike, psikologjike e sociologjike, të cilat gjykohen se kanë një impakt të dukshëm mbi ekonominë. Kështu, në listën e të laureuarve të viteve të fundit janë dhe figura të shquara si Daniel Kahneman, Robert J. Aumann dhe Thomas C. Scelling, të cilët nuk janë ekonomistë.

No comments:

Post a Comment