Friday, November 6, 2009

Kultura e kafese

Enio Civici

Pse vazhdimisht jemi të prirur e tentojmë të zgjidhim problemet me anë të “miqve” ? Pse, sa herë kemi një problem në gjykatë, Bashki, zyre taksash, Ministri, agjensi udhëtimesh, etj., pyetja e parë që bëjmë është “si e ka emrin gjyqtari”?, “kush është drejtori”?, “nga cila krahinë është pronari”?A duhen konsideruar si procedura të gabuara ato informale, pasojë direkte e një mungesë supervizimi ligjor? Jemi ne të cilët tentojme drejt rrugës më të shpejtë dhe me pak të kontrrolluar apo janë institucionet që nuk na ofrojnë asistencën dhe shërbimet përkatëse? Pse mundohemi të fshihemi pas informalitetit? Pse jemi përherëe në kërkim të rrugëzgjidhjeve “të thjeshta”? Pse tentojme të anashkalojmë vazhdimisht strukturat e paracaktuara sipas të cilave ne duhet të veprojmë? Përgjigjja mund të ndodhet në procedurat e tejzgjatura dhe lodhëse të sistemit tonë apo në mungesën e “konsolidimit burokratik”, institucional e ligjor i cili vazhdon të na karakterizojë?

Shoqëria shqiptare prej kohësh po mundohet të largohet nga rrjedha e instrumentave aspak serioz në marrjen e një vendimi, me efikasitet por fatkeqësisht pa ndonjë sukses radikal. Historia jonë, e sfazuar dhe e riformatuar forcërisht disa herë nga civilizime dhe kultura të ndryshme nga ato europiane na deshmon se Shqiptarët i kanë mbrojtur me krenari dhe guxim vlerat e tyre kombëtare edhe pse këto të fundit kane qenë të pakta. Zbrazëtirat e një shoqërie pothuajse hibride i kemi mbushur ndër shekuj me veset dhe virtytet e popujve të cilët na kanë uzurpuar, kontrolluar apo dhe ndihmuar. Përzierja e një ftohtësie dhe mungese vitaliteti, karakteristike e popujve sllave, me nxehtësinë dhe “cmendurinë” e atyre tipikë mesdhetarë tek ne ka rezultuar një sjellje e konceptueshme vetëm nga vetë shqiptarët. Jemi të akullt dhe gjaknxehtë nga njëra anë dhe tolerantë e të paskrupullt nga ana tjetër. Politika dhe massmedia shqiptare janë një dëshmi e padiskutueshme e këtij fenomeni, ato na paraqesin luftën e larmishme institucionale që zhvillohet në vend dhe të kapitur nga një seri pafund mosmarrveshjesh publike e politike ne nuk arrijmë të perceptojmë si është e mundur që cdo konsensus arrihet brenda ditës ose dhe natës, por edhe pse “sherret” qoftë dhe banale kanë jetëgjatësi disa mujore apo vjecare duke na u bërë pengesë serioze për zhvillimin.

Ndikim të drejtpërdrejtë në këtë absurditet mendoj se ka dhe kultura arabo-turke ose orientale e e cila ka kontribuar në integrimin dhe konsolidimin e fuqishëm të institucionit të “kafes”. Kafe-ja, e zbuluar rreth shekullit të IX në vargmalet e Etiopisë dhe e përhapur në Europë në shek. XV nga bota arabo-muslimane e cila përfaqësohej në atë kohë nga perandoria Turke, ishte pija e preferuar e fshatarëve arabë e lindorë të cilët e përdornin për energjinë të cilën transmetonte. Sigurisht ata nuk mund të imagjinonin se në një vend larg tyre, shumë shekuj më pas, atje ku ata nuk mund të mendonin e jo të parashikonin, kjo pije do ishte pikënisja e shumicës së marrëveshjeve, e lidhjes apo prishjes së besës, e nënshkrimit të kontratave, e shpalljes së hakmarrjes, e tregimit të guximit, e tradhtisë, e ambicjes, e xhelozisë, e lidhjes së dy të dashuruarve apo dhe e prishjes së dashurisë së tyre..

Faji për këtë fenomen mund ti vihet asaj kategorie njerëzish, të cilët të pajisur me statuse të padiskutueshme mund të grinden, pajtohen, hakmerren dhe mallkohen brenda nje ditë të vetme në vendin i cili i duket më i përshtatshëm e rehatshëm, “Bar-Kafe”. Në Shqipëri kafeja është kthyer në institucion, bile nga më kryesorët. Biznesmenët, politikanët, akademikët, shoqëria civile problemet kryesore i zgjidhin në kafe, para kamerave në më të shumtën e herëve dalin nga kafe ose klube. Shprehja më e përhapur në Shqipëri, apo fillimi i shumicës së bisedave e kontakteve tashmë është e tipit “a pimë një kafe”?, “ke mundësi të takohemi për një kafe”?, etj.

Dy kategoritë kryesore të konsumatorëve të kafes janë të rinjtë të cilët humbin kohën aq shumë të cmuar duke u endur nëpër diskutime të kota e të paqena nëpër kafe pa fund dhe tjetra janë personat të cilët kanë tendenca të anashkalojnë strukturat asistuese përkatëse me qëllimin e thjeshtë për të fituar pak më shumë. Kemi kohë dhe do vazhdojmë ta bëjmë sepse kjo dukuri bën pjesë tashmë në identitetin e shqiptarëve, të cilët të rritur në kufijtë e ngushtë të fshatrave apo qëndrave të vogla urbane periferike dhe të induktuar nga një kryeqytet pa shumë oportunitete do të kthejne kokën pas e do të struken në gjirin e tradicionales së sprovuar, e cila mund të sjelli probleme, por që gjithsesi janë të gjitha të parashikuara dhe “jo fort të rrezikshme”. Kështu ne po jetojmë në një botë të mbyllur dhe të konsumuar, të harlisur nga bukuritë materiale dhe të pafuqishëm apo të pavullnetshëm për të kërkuar risi emocionale e vetëkënaqëse. Kemi perfeksionuar aq shumë “traditat” dhe i kemi shkrirë me botën institucionale aq sa cdo shqiptar është i bindur se e di si funksionojnë politikat publike, marrëveshjet bankare, instrumentat sociale, përzgjedhja e administratës shtetërore e private, drejtimi i qeverisë dhe shtetit, gjeopolitika ndërkombëtare, etj., etj. Gjithashtu duke qenë shoqëri e vogël jemi më të prirur drejt informalizimit të procedurave si informative ashtu dhe administrative.

Bota moderne perëndimore, drejt së cilës ne duam të shkojmë dhe së cilës pretendojmë se i përkasim, e quajtur ndryshe dhe “Burokraci e konsoliduar” duhet të na mësojë të institucionalizohemi më shumë. Roli kryesor në këtë detyrë në ndryshim nga rastet e tjera, në të cilat i përket shtetit, i takon padiskutim qytetarëve shqiptarë. Nevoja për ndërgjegjësim është aq e domosdoshme sa kërkon një punë intensive morale e promovuese. Në disa vende ballkanike, të cilat vujanë nga e njëjta sindrome si Serbia, Bullgaria, Maqedonia, Kosova, Bosnja e Rumania janë përgatitur tashmë e po zbatohen projekte e masa specifike me përmbajtje informative mbi të mirat e një shoqëerie “në favor zyrtarizimit të veprimeve ekonomike, shoqërore dhe administrative” në sens të kundërt me “informalitetin e kafesë”. Pushteti i katërt dhe më i fuqishmi, ai i medias dhe informacionit, prej shumë vitesh ndihmon shoqëritë e zhvilluara në zgjidhjen e problemeve të natyrave të ndryshme. Në Shqipëri ky pushtet mund të konsolidohet akoma më shumë në rastin e një aplikimi tejmase të perhapur të frymes korrekte dhe publike, të procedurave të pa ngecura nëpër hallka të korruptuara, të medias së lirë e pacënuar nga interesa personale, të zhvillimit mendor e shoqeror, të liberalizmit demokratik dhe të vullnetit të mirë për zhvillim ekonomik e social. Nuk ka rëndësi se kush na drejton, rëndësi ka mënyra se si e bën, transparenca e të vepruarit dhe evidentimit të rezultateve për publikun. Nuk mundim ne të vendosim në mënyrë korrekte për gjithcka por ama duhet të jemi në dijeni të plotë të opsioneve të mundshme, duhet të aplikojmë me shumë referendumet e konsultimet masive popullore dhe sigurisht duhet të respektojme verdiktin e tyre.

No comments:

Post a Comment