Saturday, November 7, 2009

Kriza dhe pergjegjesia e ekonomisteve

ADRIAN CIVICI

Iniciativa e fundit mjaft in teresante e Xhorxh Soros-it, për të financuar me 50 milionë dollarë krijimin e një instituti për “kritikën e ekonomisë moderne” duket se po i hap rrugën një reflektimi të ri. Tashmë që kriza e jashtëzakonshme ekonomiko-financiare e dy viteve të fundit po shkon drejt fundit, në mjediset politike, financiare, akademike e mediatike ka shpërthyer një debat fondamental. Për të përballuar krizën, vetëm nga vendet e G-20 u mobilizuan me urgjencë mbi 9 mijë miliardë dollarë, ndërkohë që pasojat e krizës për vendet e ndryshme, bizneset apo individët llogariten në rreth 45 mijë miliardë dollarë. Humbjet ekonomike e financiare llogariten të jenë më të mëdha se ato të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore së bashku. Cilët ishin përgjegjësit që e shkaktuan atë? Dhe, akoma më shumë se kaq: ekonomistët si profesioni apo si ekspertiza më e specializuar që duhet ta kuptonte dhe parandalonte atë duket se dështuan në rolin e tyre si “doktorët” e shëndetit ekonomik e financiar si në nivel kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar. A kanë ata përgjegjësi direkte për këtë krizë?... dhe mbi të gjitha, a ka ndonjë reflektim thelbësor mbi rolin e ardhshëm të tyre?... apo, mbi vetë përmbajtjen e profesionit të ekonomistëve?. Pikëpyetjet mbi utilitetin social e politik të tyre janë përditë e më shumë në fokus të analizave të specializuara. Çfarë ekonomistësh na duhen? Çfarë njohurish janë të nevojshme për të formuar një ekonomist? Çfarë problemesh duhet të zgjidhin ata? Si ta vlerësojmë cilësinë e tyre? Të gjitha këto pyetje e pikëpyetje reflektojnë një kohë të re sfidash përballë ekonomistëve, në mënyrë që ata ta “justifikojnë” veten përballë asaj çka pritet prej tyre sot.
Profili dhe përmbajtja e re për ekonomistët po analizohet mbështetur në ato që cilësohen “tre portretet apo figurat e ekonomistëve”. Figura e parë është ajo e një ekonomisti teoricien që nëpërmjet matematikës, statistikës apo ekonometrisë tenton që çdo gjë ta “formalizojë në një ekuacion apo formulë të përgjithshme me spektër të gjerë dhe të pakufizuar në kohë e hapësirë”. Por, me gjithë sukseset e ekonomistëve të cilësuar si neo-klasikë, të cilët e ngritën në art një profil të tillë ekonomisti, aktualisht të gjithë po binden se kjo mënyrë veprimi për të ndërtuar hipoteza të përgjithshme përmban në vetvete mjaft subjektivitet, aq më tepër që vetë ekonomia si shkencë nuk është e ngjashme me shkencat ekzakte si kimia, fizika etj. Profili i dytë i ekonomistëve përmblidhet në atë që quhet “makroekonomia e aplikuar e tipit keynes-ian”, e cila bashkonte në një të vetme modelet ekonometrike me politikat ekonomike. Por, zhvillimet ekonomiko-financiare e sociale në vitet ‘80-‘90-të të shekullit të kaluar evidentuan një sërë rezervash për këtë tip ekonomistësh. Kritikat u fokusuan në “vlerën dhe besueshmërinë e parashikimeve afatmesme dhe afatgjatë” të ecurisë së fenomeneve të tilla, si papunësia, rritja apo rënia ekonomike, inflacioni, përqindjet e këmbimit, ekuilibrat dhe dizekuilibrat strukturorë, lidhjet shkak-pasojë ndërmjet konsumit dhe investimeve etj. Politikat ekonomike nuk ndjeheshin të sigurta në objektivat dhe instrumentet kryesore të tyre, duke u mbështetur vetëm në seritë tendenciale makroekonomike. Profili i tretë i ekonomistëve i takon viteve të fundit dhe është ai që e cilëson ekonomistin si “një inxhinier social të politikave ekonomike”. Detyra e tij është orientimi i saktë i gjithë mjeteve dhe instrumenteve që disponojnë autoritetet publike drejt realizimit të disa objektivave themelore në dobi të komunitetit, të tilla si: stimulimi i rritjes ekonomike, mbajtja e nivelit të lartë të punësimit, lufta kundër inflacionit, ekuilibri i tregtisë së jashtme, rritja e fuqisë blerëse, stabiliteti i skemave të pensioneve dhe mbrojtjes sociale, cilësia e shërbimeve publike etj. Ky evolucion u cilësua si trilogjia e famshme “të parashikosh… të veprosh... të garantosh”, dhe u duk se më në fund ekonomistët “e gjetën veten dhe u bënë aq të rëndësishëm sa pretendonin se ishin në shoqëri dhe politikë”. Por fillimi i mijëvjeçarit të ri, dhe sidomos debatet “për fajin e krizës dhe mënyrat më efektive të daljes prej saj” dëshmuan për mjaft kufizime të kësaj trilogjie. Kur vinte fjala për politikat ekonomike apo financiare, ekonomistët rezultonin të ndarë: keynes-ianë, monetaristë, klasikë, neoklasikë, institucionalistë, regulacionistë, shumpeter-ianë etj. Edmund Phels, çmimi Nobel i ekonomisë në vitin 2006 e titullon në mënyrë disi provokative një artikull të tij të ditëve të fundit: “Kriza?... Shkolla të mendimit ekonomik, flisni!”. Dhe kjo, sepse zgjedhja e politikave ekonomike, po varen gjithnjë e më tepër nga koalicionet dhe ekuilibrat politike të pushtetit dhe vetë politikës duke i dhënë fund dhe vetë konceptit të neutralitetit të ekonomistit si “zëdhënës i njohurive dhe koncepteve shkencore”. Kjo e ka bërë ekonomistin palë me politikën dhe për pasojë e relativizon shumë atë dhe politikat ekonomike të propozuara e mbrojtura prej tij. Ekonomistët u vendosën nën çadrën e politikës dhe në shërbim të saj, ndërkohë që sot, opinioni publik dhe ekspertët e fushës mendojnë se duhet të jetë e kundërta, “duhet të jetë politika ajo që duhet t’i marrë referencat bazë nga ekonomia dhe ekonomistët”. Për këtë arsye, sot kërkohet një profil dhe figurë e re ekonomistësh, të cilët në përmbajtjen dhe veprimin e tyre t’i përgjigjen stadit dhe problemeve të reja me të cilat po përballen shtete, kontinente apo vetë bota në tërësi.
Konkluzionet e para në këtë fund-viti 2009, të frymëzuara dhe nga domosdoshmëria e një “profili të ri ekonomistësh” të aftë që të mos lejojnë shfaqjen e krizave me përmasa të tilla, duket se po kristalizohen çdo ditë e më tepër. Së pari, ekonomistët e sotëm duhet të jenë të aftë “jo vetëm ta evidentojnë fenomenin, por në radhë të parë ta kuptojnë në thelbin e tij dhe të propozojnë konkretisht mjetet dhe mënyrat për transformimin e tij”. Në vend që të merren pafund me modele e vërtetime teorike, ata “duhet të preokupohen me problemet më shqetësuese aktuale si papunësia, destabiliteti financiar, varfëria dhe mos-zhvillimi, zgjidhja e problemeve të ushqimit dhe energjisë”, problemet e cilësisë së jetës etj. Së dyti, ekonomistët modernë duhet të “bëhen dishepujt e shpërndarjes së koncepteve dhe praktikave të asaj që cilësohet si shoqëri e qëndrueshme”, që garanton lirinë individuale, drejtësinë sociale dhe respektin për natyrën dhe mjedisin në përgjithësi. Ekonomistët duhet të profilizohen në një rol të ri, në atë të “reformatorit social”, duke kërkuar impakt gjithnjë e më të madh në organizimin dhe qeverisjen e shoqërisë. Kërkimet e fundit në fushën e “Ekonomisë historike” po hapin perspektivën e riintegrimit të ekonomisë në shkencat sociale. Edhe vetë ajo që quhet “ekonomia eksperimentale” po kërkon gjithnjë e më tepër hapësira të reja për të shpjeguar sjelljen e individëve apo grupeve, hapësira që duhet të jenë shumë më të gjera se ato të konturuara dhe propozuara deri tani nga ekonomistët liberalë dhe produkti themelor i tyre “homo oeconomicus”. Së treti, ekonomistët duhet të fillojnë “të shkrihen” më shumë me shkencat dhe disiplinat e tjera. Ekspertët mendojnë se ekonomisti modern duhet të formohet patjetër me njohuri më komplekse, duke synuar në përgatitjen e ekonomistëve mjedisorë, të informacionit, të shëndetësisë, të arsimit, të teknologjive të reja dhe inovacioneve, ekonomistëve informaticienë, ekonomistëve të zhvillimit, të transportit”, ekonomistëve urbanë e të shërbimeve, ekonomistëve të turizmit, ekonomistëve të territorit etj. Së katërti, ekonomistët duhet “të kenë këndvështrim e formim sa më global e ndërkombëtar”. Ata duhet të jenë në gjendje të njohin dhe të përballen me debatet dhe sfidat që vijnë si pasojë e fenomenit të ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike, emigracionit ndërkombëtar, gjeopolitikës së naftës dhe energjisë, aksesit në burimet dhe lëndët e para jetësore si uji, tokat bujqësore, pyjet, ajri, mineralet, problemet e ushqimit dhe varfërisë, rolit dhe ndikimit të institucioneve ndërkombëtare si FMN, OBT, Banka Botërore, FAO etj., në ekonomitë lokale e rajonale, rolit të ideologjive, fesë dhe ndryshimeve të civilizimeve në zhvillim, krizat financiare dhe roli i tyre mbi vende e popuj të ndryshëm, efektet e teknikave dhe teknologjive të reja si nanoteknollogjitë, organizmat gjenetikisht të modifikueshme, ndikimin dhe oportunitetet që po prodhon zhvillimi i shpejtë i Kinës, Indisë, Brazilit etj.
Këto pyetje e pikëpyetje janë shumë aktuale dhe për Shqipërinë, ku pothuajse të gjithë janë dakord se roli dhe kontributi i ekonomistëve në analizën e shkaqeve të nivelit tonë të zhvillimit apo në “paketat e masave dhe politikave” të propozuara prej tyre për të dalë nga kjo gjendje, janë akoma të pamjaftueshme. Ekonomistët e konsoliduar e cilësorë janë ndoshta mungesa më e madhe në stafet politike, në strukturat drejtuese të institucioneve më të rëndësishme, në përmbajtjen e komenteve dhe informacioneve të masmediave, në debatin intelektual e akademik, në kërkimin shkencor e financimin e tij, në këshillimin e institucionalizuar të Parlamentit apo politikës në përgjithësi etj. Mendimi ekonomik shqiptar ka nevojë të modernizohet dhe institucionalizohet në përputhje me tendencat moderne të këtij profesioni e specialiteti. Në front të parë të këtij preokupimi duhet të jenë universitetet dhe fakultetet e ekonomisë dhe biznesit që me curriculumet e tyre t’i përgjigjen saktësisht tendencave e shqetësimeve për llojin dhe cilësinë e ekonomistëve që formojnë e diplomojnë. Dhe të jemi të sigurt se ky shqetësim nuk është vetëm shqiptar. Zgjedhja e Xhorxh Soros-it që iniciativën e tij t’ia besonte Universitetit të Evropës Qendrore në Budapest dhe Pragë dëshmon më së miri për rolin që pritet të luajnë universitetet në këtë proces. Edhe në SHBA, Angli, Francë, Itali, Gjermani, Kanada, Australi, Kinë, Indi, Suedi, etj., vende që shquhen për shkolla e universitete nga më cilësorët në fushën e ekonomisë, është hapur tashmë një debat i përgjithshëm mbi këtë shqetësim: “Cili është roli i ekonomisë dhe ekonomistëve në shoqëritë moderne?”. Kriza financiare e ekonomike aktuale i “hodhi akoma më shumë benzinë” këtij zjarri diskutimesh e reflektimesh, rezultatet e të cilave priten dhe janë me mjaft interes për të gjithë.

No comments:

Post a Comment