Friday, November 6, 2009

Ekonomia sa pak konkuruese

ADRIAN CIVICI

Forumi Ekonomik Botëror publikoi dje raportin vjetor “Mbi konkurrueshmërinë globale, 2009-2010”. Ky është një nga raportet dhe indikatorët që pritet me shumë interes nga të gjithë vendet e botës, dhe sidomos nga qeveritë, bizneset dhe bankat, meqenëse nëpërmjet tij bëhet një skaner i aftësisë konkurruese të bizneseve dhe politikave ekonomike të çdo vendi në kuadrin e ekonomisë botërore. Rezultatet e këtij raporti, këtë vit u pritën akoma më me interes edhe për faktin se, nëpërmjet tyre do bëhej edhe një testim apo analizë specifike e ndikimit të krizës aktuale financiare e ekonomike botërore në vende të veçanta. Dhe natyrisht, surprizat nuk munguan. SHBA humbën për herë të parë kryesimin “si vendi me ekonominë më konkurruese në botë”, për t’ia lënë këtë vend Zvicrës. Singapori ngjitet në vend të tretë, ndërkohë që Suedia, Danimarka, Finlanda dhe Gjermania ruajtën të njëjtat pozicione në krye të listës. Kina ka një progres të madh, duke u vendosur në vendin e 29. Po kështu dhe vendet e cilësuara si “ekonomitë emergjente” me në krye Brazilin, Indinë; vendet aziatike me Korenë e Jugut dhe Tajvanin; Amerika Latine ku vazhdon të shkëlqejë Kili; vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore ku progresin më të madh e kanë bërë Tunizia, Izraeli, Arabia Saudite, Katari, etj. Pozicione jo të kënaqshme në lidhje me konkurrueshmërinë e ekonomive të tyre rezultojnë të kenë Italia, e renditur e 48 në 133 shtete të marra në konsideratë, Rusia e cila ka humbur 12 vende në krahasim me një vit më parë, duke u renditur e 63-ta, Kroacia dhe Ukraina që kanë humbur nga 11 vende në raport me një vit më parë etj.
Po Shqipëria? Këtë vit renditemi në vend të 96, duke avancuar 12 vende në krahasim me një vit më parë. Natyrisht që mund ta konsiderojmë e duhet ta konsiderojmë pozitiv faktin e një progresi kaq të konsiderueshëm brenda një viti. Por, nga ana tjetër, renditja në vendin e 96 na dëshmon për një nivel kompetiviteti akoma të ulët dhe na grupon me vende të tilla si Armenia, Kenia, Tanzania, Pakistani, Surinami, Benini apo Bangladeshi. Në këto kushte, përtej entuziazmit deri diku formal të avancimit në klasifikimin botëror, është më e rëndësishme që ta kuptojmë se çfarë “mesazhe” na vijnë nga ky raport dhe si mund të përkthehen ato në politikat tona të ardhshme ekonomike e financiare në funksion të rritjes së nivelit të kompetivitetit të ekonomisë sonë. Sipas metodologjisë së përdorur, “indeksi i konkurrueshmërisë globale” bazohet në 12 kategori treguesish, të cilat të japin një pasqyrë të plotë të gjendjes për çdo vend. Kategoritë e marra në konsideratë janë: institucionet, infrastruktura, stabiliteti makroekonomik, shëndeti dhe edukimi, universitetet dhe kërkimi shkencor, efektiviteti i tregut të mallrave, efektiviteti i tregut të punës, sofistifikimi i sistemit financiar, teknologjia, madhësia e tregut, sofistifikimi i sektorit privat, inovacioni.
Duke bërë një analizë të këtyre treguesve për Shqipërinë, mund të profilizohet qartë dhe “portreti” i cilësisë së politikave dhe ekonomisë sonë në raport me fuqinë dhe cilësinë konkurruese. Më mirë renditemi në treguesin e “Eficencës së tregut të punës (vendi i 66/133) dhe “Shëndetësinë dhe edukimin” (66), etj., ndërsa më keq rezultojmë në treguesit e “efektivitetit të tregut të mallrave” (“infrastrukturës” (104), “madhësia e tregut” (106), “sofistikimi i biznesit” (109) dhe jemi pothuajse të fundit në botë në treguesin e “inovacioneve” (124). Por duke e parë akoma më analitikisht e në detaje pozicionin dhe problematikën e Shqipërisë, rezulton se tabloja e saj është mjaft komplekse.
Mjaft pozitiv është fakti se jemi të 12 në botë kur është fjala për kontrollin dhe nivelin e inflacionit, të 14 për mbrojtjen e investimeve, të 26 për lehtësinë e procedurave të biznesit, të 19 kur është fjala për pagat dhe produktivitetin e punës etj. Por, nga ana tjetër, shumë nga treguesit “fshehin” brenda tyre elementë që tregojnë për një realitet që duhet ndryshuar urgjentisht. Kështu, për shembull, tek treguesi “institucionet” ku renditemi të 87, kur është fjala për “pavarësinë e gjyqësorit” jemi të 106, për “mbrojtjen e të drejtës intelektuale” jemi të 120, për “të drejtat e pronësisë” jemi të 118, etj.; tek treguesi “stabiliteti makroekonomik” i cili ka qenë vazhdimisht krenaria e çdo qeverie shqiptare të këtyre viteve të tranzicionit, renditemi të 119 për “deficitin buxhetor” dhe të 125 për “nivelin e kursimeve të brendshme”. Po kështu, edhe për sa i përket treguesit të shëndetit dhe edukimit, ku megjithëse në tërësi jemi të 66, ajo që bie në sy është fakti se renditemi të 101 kur është fjala për shpenzimet për edukimin.
Më shqetësuese duket situata në dy nga treguesit më sinjifikativë të rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe zhvillimit perspektiv të ekonomisë dhe financave tona. Në këtë kuadër, në treguesin “inovacione” bie në sy fakti se kur jemi vlerësuar për “bashkëpunimin universitete-biznes” në kuadrin e kërkim-zhvillimit jemi renditur në vendin e fundit në botë, pra të 133; kur analizohet “cilësia e institucioneve kërkimore” jemi renditur të 128, pra në pesë vendet e fundit në botë. Kështu mund të vazhdojmë me “shpenzimet për kërkim-zhvillim nga ana e biznesit” ku jemi renditur të 126, etj. Po kaq problematike duhet gjendja edhe po t’i referohemi treguesit tjetër të “sofistikimit të biznesit”, tregues që krijon garancinë për zhvillim apo shpreh dobësitë e bizneseve në një vend, disa elementë të tij kërkojnë urgjentisht hartimin dhe zbatimin e disa politikave specifike. Në elementin “zhvillimi i klasterave” rezultojmë të 130, pra vetëm tre vende para fundit, tek “sasia dhe cilësia e ofertës lokale”, pra e prodhimit të brendshëm për të cilin flasim kaq shumë se duhet ta mbështesim me politika e masa konkrete, rezultojmë në vend të 110 dhe 116. Këtu mund të shtojmë dhe elementin e “përshtatjes me teknologjitë e reja” në të cilin jemi në vend të 105-të.
Zakonisht thuhet se këto shifra nuk kanë nevojë për koment, por në këtë rast, komenti dhe analiza e kujdesshme e tyre është e domosdoshme, në mënyrë që ato të mos bien “viktimë” e gjykimeve apo vlerësimeve të sipërfaqshme me natyrë politike e subjektive të tipit “sukses i madh që këtë vit si pasojë e politikave të suksesshme kemi avancuar 12 vende”, apo “qenia në vendin e 96 tregon për politikat e dështuara dhe për situatën dramatike në të cilën ndodhemi”, etj. Është momenti që konkluzionet që dalin nga analiza e këtij indeksi të gjejnë vend në objektivat dhe politikat e këtij mandati të ri qeverisës. Në këtë këndvështrim, themeluesi dhe presidenti i Forumit Ekonomik Botëror, Klaus Schwab, nënvizon se “në kushtet e krizës aktuale, për çdo vend është mëse e domosdoshme që vendimmarrësit politikë të kenë maksimalisht në vëmendje elementët thelbësorë që kushtëzojnë nivelin afat-gjatë të konkurrueshmërisë, dhe jo të fokusohen vetëm në masat emergjente të përballimit të krizës”. Ekonomi kompetitive janë vetëm ato që disponojnë faktorët bazë të garantimit të një niveli të lartë konkurrueshmërie, e cila gjithnjë e më tepër po konsiderohet si “motori kryesor që garanton një rritje ekonomike të qëndrueshme”.
Ekonomisti i shquar i Universitetit Columbia në SHBA, Xavier S. Martin, që është njëkohësisht dhe bashkautor i këtij raporti thekson se “mjedisi ekonomik që favorizon konkurrencën është i domosdoshëm për të ndihmuar ekonomitë nacionale që të përballojnë më mirë ciklet” dhe ulje ngritjet e ekonomisë dhe financave botërore. Komentet dhe analizat e këtij treguesi në shumë vende të botës, sidomos në ato të zhvilluara synojnë pikërisht këtë gjë: ta venë “zbërthimin” e këtij indeksi në shërbim të analizave sa më strukturore e afat-gjata të ekonomive e financave të tyre në mënyrë që të kuptojnë e reagojnë se sa janë të afta ti mbijetojnë krizave apo të garantojnë një rritje ekonomike të qëndrueshme. Sipas analistes ekonomike Annie Kahn, “indeksi i konkurrueshmërisë globale është një instrument shumë i mirë që tregon kapacitetin e çdo vendi për të mbajtur një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe një zhvillim afat-gjatë... kriteret e konkurrueshmërisë të lejojnë të gjykosh se cilat vende mund të bien më shpejt në kriza ekonomike dhe cilat janë më të mbrojtura prej tyre”. Kjo përbën dhe “syzet” me të cilat duhet lexuar e analizuar ky tregues për Ekonominë dhe financat shqiptare. Çdo masë ose politikë ekonomike në favor të rritjes së konkurrueshmërisë do të shkonte menjëherë në mbështetje të rritjes sonë ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm perspektiv.

No comments:

Post a Comment