Saturday, November 7, 2009

Kriza dhe pergjegjesia e ekonomisteve

ADRIAN CIVICI

Iniciativa e fundit mjaft in teresante e Xhorxh Soros-it, për të financuar me 50 milionë dollarë krijimin e një instituti për “kritikën e ekonomisë moderne” duket se po i hap rrugën një reflektimi të ri. Tashmë që kriza e jashtëzakonshme ekonomiko-financiare e dy viteve të fundit po shkon drejt fundit, në mjediset politike, financiare, akademike e mediatike ka shpërthyer një debat fondamental. Për të përballuar krizën, vetëm nga vendet e G-20 u mobilizuan me urgjencë mbi 9 mijë miliardë dollarë, ndërkohë që pasojat e krizës për vendet e ndryshme, bizneset apo individët llogariten në rreth 45 mijë miliardë dollarë. Humbjet ekonomike e financiare llogariten të jenë më të mëdha se ato të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore së bashku. Cilët ishin përgjegjësit që e shkaktuan atë? Dhe, akoma më shumë se kaq: ekonomistët si profesioni apo si ekspertiza më e specializuar që duhet ta kuptonte dhe parandalonte atë duket se dështuan në rolin e tyre si “doktorët” e shëndetit ekonomik e financiar si në nivel kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar. A kanë ata përgjegjësi direkte për këtë krizë?... dhe mbi të gjitha, a ka ndonjë reflektim thelbësor mbi rolin e ardhshëm të tyre?... apo, mbi vetë përmbajtjen e profesionit të ekonomistëve?. Pikëpyetjet mbi utilitetin social e politik të tyre janë përditë e më shumë në fokus të analizave të specializuara. Çfarë ekonomistësh na duhen? Çfarë njohurish janë të nevojshme për të formuar një ekonomist? Çfarë problemesh duhet të zgjidhin ata? Si ta vlerësojmë cilësinë e tyre? Të gjitha këto pyetje e pikëpyetje reflektojnë një kohë të re sfidash përballë ekonomistëve, në mënyrë që ata ta “justifikojnë” veten përballë asaj çka pritet prej tyre sot.
Profili dhe përmbajtja e re për ekonomistët po analizohet mbështetur në ato që cilësohen “tre portretet apo figurat e ekonomistëve”. Figura e parë është ajo e një ekonomisti teoricien që nëpërmjet matematikës, statistikës apo ekonometrisë tenton që çdo gjë ta “formalizojë në një ekuacion apo formulë të përgjithshme me spektër të gjerë dhe të pakufizuar në kohë e hapësirë”. Por, me gjithë sukseset e ekonomistëve të cilësuar si neo-klasikë, të cilët e ngritën në art një profil të tillë ekonomisti, aktualisht të gjithë po binden se kjo mënyrë veprimi për të ndërtuar hipoteza të përgjithshme përmban në vetvete mjaft subjektivitet, aq më tepër që vetë ekonomia si shkencë nuk është e ngjashme me shkencat ekzakte si kimia, fizika etj. Profili i dytë i ekonomistëve përmblidhet në atë që quhet “makroekonomia e aplikuar e tipit keynes-ian”, e cila bashkonte në një të vetme modelet ekonometrike me politikat ekonomike. Por, zhvillimet ekonomiko-financiare e sociale në vitet ‘80-‘90-të të shekullit të kaluar evidentuan një sërë rezervash për këtë tip ekonomistësh. Kritikat u fokusuan në “vlerën dhe besueshmërinë e parashikimeve afatmesme dhe afatgjatë” të ecurisë së fenomeneve të tilla, si papunësia, rritja apo rënia ekonomike, inflacioni, përqindjet e këmbimit, ekuilibrat dhe dizekuilibrat strukturorë, lidhjet shkak-pasojë ndërmjet konsumit dhe investimeve etj. Politikat ekonomike nuk ndjeheshin të sigurta në objektivat dhe instrumentet kryesore të tyre, duke u mbështetur vetëm në seritë tendenciale makroekonomike. Profili i tretë i ekonomistëve i takon viteve të fundit dhe është ai që e cilëson ekonomistin si “një inxhinier social të politikave ekonomike”. Detyra e tij është orientimi i saktë i gjithë mjeteve dhe instrumenteve që disponojnë autoritetet publike drejt realizimit të disa objektivave themelore në dobi të komunitetit, të tilla si: stimulimi i rritjes ekonomike, mbajtja e nivelit të lartë të punësimit, lufta kundër inflacionit, ekuilibri i tregtisë së jashtme, rritja e fuqisë blerëse, stabiliteti i skemave të pensioneve dhe mbrojtjes sociale, cilësia e shërbimeve publike etj. Ky evolucion u cilësua si trilogjia e famshme “të parashikosh… të veprosh... të garantosh”, dhe u duk se më në fund ekonomistët “e gjetën veten dhe u bënë aq të rëndësishëm sa pretendonin se ishin në shoqëri dhe politikë”. Por fillimi i mijëvjeçarit të ri, dhe sidomos debatet “për fajin e krizës dhe mënyrat më efektive të daljes prej saj” dëshmuan për mjaft kufizime të kësaj trilogjie. Kur vinte fjala për politikat ekonomike apo financiare, ekonomistët rezultonin të ndarë: keynes-ianë, monetaristë, klasikë, neoklasikë, institucionalistë, regulacionistë, shumpeter-ianë etj. Edmund Phels, çmimi Nobel i ekonomisë në vitin 2006 e titullon në mënyrë disi provokative një artikull të tij të ditëve të fundit: “Kriza?... Shkolla të mendimit ekonomik, flisni!”. Dhe kjo, sepse zgjedhja e politikave ekonomike, po varen gjithnjë e më tepër nga koalicionet dhe ekuilibrat politike të pushtetit dhe vetë politikës duke i dhënë fund dhe vetë konceptit të neutralitetit të ekonomistit si “zëdhënës i njohurive dhe koncepteve shkencore”. Kjo e ka bërë ekonomistin palë me politikën dhe për pasojë e relativizon shumë atë dhe politikat ekonomike të propozuara e mbrojtura prej tij. Ekonomistët u vendosën nën çadrën e politikës dhe në shërbim të saj, ndërkohë që sot, opinioni publik dhe ekspertët e fushës mendojnë se duhet të jetë e kundërta, “duhet të jetë politika ajo që duhet t’i marrë referencat bazë nga ekonomia dhe ekonomistët”. Për këtë arsye, sot kërkohet një profil dhe figurë e re ekonomistësh, të cilët në përmbajtjen dhe veprimin e tyre t’i përgjigjen stadit dhe problemeve të reja me të cilat po përballen shtete, kontinente apo vetë bota në tërësi.
Konkluzionet e para në këtë fund-viti 2009, të frymëzuara dhe nga domosdoshmëria e një “profili të ri ekonomistësh” të aftë që të mos lejojnë shfaqjen e krizave me përmasa të tilla, duket se po kristalizohen çdo ditë e më tepër. Së pari, ekonomistët e sotëm duhet të jenë të aftë “jo vetëm ta evidentojnë fenomenin, por në radhë të parë ta kuptojnë në thelbin e tij dhe të propozojnë konkretisht mjetet dhe mënyrat për transformimin e tij”. Në vend që të merren pafund me modele e vërtetime teorike, ata “duhet të preokupohen me problemet më shqetësuese aktuale si papunësia, destabiliteti financiar, varfëria dhe mos-zhvillimi, zgjidhja e problemeve të ushqimit dhe energjisë”, problemet e cilësisë së jetës etj. Së dyti, ekonomistët modernë duhet të “bëhen dishepujt e shpërndarjes së koncepteve dhe praktikave të asaj që cilësohet si shoqëri e qëndrueshme”, që garanton lirinë individuale, drejtësinë sociale dhe respektin për natyrën dhe mjedisin në përgjithësi. Ekonomistët duhet të profilizohen në një rol të ri, në atë të “reformatorit social”, duke kërkuar impakt gjithnjë e më të madh në organizimin dhe qeverisjen e shoqërisë. Kërkimet e fundit në fushën e “Ekonomisë historike” po hapin perspektivën e riintegrimit të ekonomisë në shkencat sociale. Edhe vetë ajo që quhet “ekonomia eksperimentale” po kërkon gjithnjë e më tepër hapësira të reja për të shpjeguar sjelljen e individëve apo grupeve, hapësira që duhet të jenë shumë më të gjera se ato të konturuara dhe propozuara deri tani nga ekonomistët liberalë dhe produkti themelor i tyre “homo oeconomicus”. Së treti, ekonomistët duhet të fillojnë “të shkrihen” më shumë me shkencat dhe disiplinat e tjera. Ekspertët mendojnë se ekonomisti modern duhet të formohet patjetër me njohuri më komplekse, duke synuar në përgatitjen e ekonomistëve mjedisorë, të informacionit, të shëndetësisë, të arsimit, të teknologjive të reja dhe inovacioneve, ekonomistëve informaticienë, ekonomistëve të zhvillimit, të transportit”, ekonomistëve urbanë e të shërbimeve, ekonomistëve të turizmit, ekonomistëve të territorit etj. Së katërti, ekonomistët duhet “të kenë këndvështrim e formim sa më global e ndërkombëtar”. Ata duhet të jenë në gjendje të njohin dhe të përballen me debatet dhe sfidat që vijnë si pasojë e fenomenit të ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike, emigracionit ndërkombëtar, gjeopolitikës së naftës dhe energjisë, aksesit në burimet dhe lëndët e para jetësore si uji, tokat bujqësore, pyjet, ajri, mineralet, problemet e ushqimit dhe varfërisë, rolit dhe ndikimit të institucioneve ndërkombëtare si FMN, OBT, Banka Botërore, FAO etj., në ekonomitë lokale e rajonale, rolit të ideologjive, fesë dhe ndryshimeve të civilizimeve në zhvillim, krizat financiare dhe roli i tyre mbi vende e popuj të ndryshëm, efektet e teknikave dhe teknologjive të reja si nanoteknollogjitë, organizmat gjenetikisht të modifikueshme, ndikimin dhe oportunitetet që po prodhon zhvillimi i shpejtë i Kinës, Indisë, Brazilit etj.
Këto pyetje e pikëpyetje janë shumë aktuale dhe për Shqipërinë, ku pothuajse të gjithë janë dakord se roli dhe kontributi i ekonomistëve në analizën e shkaqeve të nivelit tonë të zhvillimit apo në “paketat e masave dhe politikave” të propozuara prej tyre për të dalë nga kjo gjendje, janë akoma të pamjaftueshme. Ekonomistët e konsoliduar e cilësorë janë ndoshta mungesa më e madhe në stafet politike, në strukturat drejtuese të institucioneve më të rëndësishme, në përmbajtjen e komenteve dhe informacioneve të masmediave, në debatin intelektual e akademik, në kërkimin shkencor e financimin e tij, në këshillimin e institucionalizuar të Parlamentit apo politikës në përgjithësi etj. Mendimi ekonomik shqiptar ka nevojë të modernizohet dhe institucionalizohet në përputhje me tendencat moderne të këtij profesioni e specialiteti. Në front të parë të këtij preokupimi duhet të jenë universitetet dhe fakultetet e ekonomisë dhe biznesit që me curriculumet e tyre t’i përgjigjen saktësisht tendencave e shqetësimeve për llojin dhe cilësinë e ekonomistëve që formojnë e diplomojnë. Dhe të jemi të sigurt se ky shqetësim nuk është vetëm shqiptar. Zgjedhja e Xhorxh Soros-it që iniciativën e tij t’ia besonte Universitetit të Evropës Qendrore në Budapest dhe Pragë dëshmon më së miri për rolin që pritet të luajnë universitetet në këtë proces. Edhe në SHBA, Angli, Francë, Itali, Gjermani, Kanada, Australi, Kinë, Indi, Suedi, etj., vende që shquhen për shkolla e universitete nga më cilësorët në fushën e ekonomisë, është hapur tashmë një debat i përgjithshëm mbi këtë shqetësim: “Cili është roli i ekonomisë dhe ekonomistëve në shoqëritë moderne?”. Kriza financiare e ekonomike aktuale i “hodhi akoma më shumë benzinë” këtij zjarri diskutimesh e reflektimesh, rezultatet e të cilave priten dhe janë me mjaft interes për të gjithë.

Friday, November 6, 2009

Ekonomia sa pak konkuruese

ADRIAN CIVICI

Forumi Ekonomik Botëror publikoi dje raportin vjetor “Mbi konkurrueshmërinë globale, 2009-2010”. Ky është një nga raportet dhe indikatorët që pritet me shumë interes nga të gjithë vendet e botës, dhe sidomos nga qeveritë, bizneset dhe bankat, meqenëse nëpërmjet tij bëhet një skaner i aftësisë konkurruese të bizneseve dhe politikave ekonomike të çdo vendi në kuadrin e ekonomisë botërore. Rezultatet e këtij raporti, këtë vit u pritën akoma më me interes edhe për faktin se, nëpërmjet tyre do bëhej edhe një testim apo analizë specifike e ndikimit të krizës aktuale financiare e ekonomike botërore në vende të veçanta. Dhe natyrisht, surprizat nuk munguan. SHBA humbën për herë të parë kryesimin “si vendi me ekonominë më konkurruese në botë”, për t’ia lënë këtë vend Zvicrës. Singapori ngjitet në vend të tretë, ndërkohë që Suedia, Danimarka, Finlanda dhe Gjermania ruajtën të njëjtat pozicione në krye të listës. Kina ka një progres të madh, duke u vendosur në vendin e 29. Po kështu dhe vendet e cilësuara si “ekonomitë emergjente” me në krye Brazilin, Indinë; vendet aziatike me Korenë e Jugut dhe Tajvanin; Amerika Latine ku vazhdon të shkëlqejë Kili; vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore ku progresin më të madh e kanë bërë Tunizia, Izraeli, Arabia Saudite, Katari, etj. Pozicione jo të kënaqshme në lidhje me konkurrueshmërinë e ekonomive të tyre rezultojnë të kenë Italia, e renditur e 48 në 133 shtete të marra në konsideratë, Rusia e cila ka humbur 12 vende në krahasim me një vit më parë, duke u renditur e 63-ta, Kroacia dhe Ukraina që kanë humbur nga 11 vende në raport me një vit më parë etj.
Po Shqipëria? Këtë vit renditemi në vend të 96, duke avancuar 12 vende në krahasim me një vit më parë. Natyrisht që mund ta konsiderojmë e duhet ta konsiderojmë pozitiv faktin e një progresi kaq të konsiderueshëm brenda një viti. Por, nga ana tjetër, renditja në vendin e 96 na dëshmon për një nivel kompetiviteti akoma të ulët dhe na grupon me vende të tilla si Armenia, Kenia, Tanzania, Pakistani, Surinami, Benini apo Bangladeshi. Në këto kushte, përtej entuziazmit deri diku formal të avancimit në klasifikimin botëror, është më e rëndësishme që ta kuptojmë se çfarë “mesazhe” na vijnë nga ky raport dhe si mund të përkthehen ato në politikat tona të ardhshme ekonomike e financiare në funksion të rritjes së nivelit të kompetivitetit të ekonomisë sonë. Sipas metodologjisë së përdorur, “indeksi i konkurrueshmërisë globale” bazohet në 12 kategori treguesish, të cilat të japin një pasqyrë të plotë të gjendjes për çdo vend. Kategoritë e marra në konsideratë janë: institucionet, infrastruktura, stabiliteti makroekonomik, shëndeti dhe edukimi, universitetet dhe kërkimi shkencor, efektiviteti i tregut të mallrave, efektiviteti i tregut të punës, sofistifikimi i sistemit financiar, teknologjia, madhësia e tregut, sofistifikimi i sektorit privat, inovacioni.
Duke bërë një analizë të këtyre treguesve për Shqipërinë, mund të profilizohet qartë dhe “portreti” i cilësisë së politikave dhe ekonomisë sonë në raport me fuqinë dhe cilësinë konkurruese. Më mirë renditemi në treguesin e “Eficencës së tregut të punës (vendi i 66/133) dhe “Shëndetësinë dhe edukimin” (66), etj., ndërsa më keq rezultojmë në treguesit e “efektivitetit të tregut të mallrave” (“infrastrukturës” (104), “madhësia e tregut” (106), “sofistikimi i biznesit” (109) dhe jemi pothuajse të fundit në botë në treguesin e “inovacioneve” (124). Por duke e parë akoma më analitikisht e në detaje pozicionin dhe problematikën e Shqipërisë, rezulton se tabloja e saj është mjaft komplekse.
Mjaft pozitiv është fakti se jemi të 12 në botë kur është fjala për kontrollin dhe nivelin e inflacionit, të 14 për mbrojtjen e investimeve, të 26 për lehtësinë e procedurave të biznesit, të 19 kur është fjala për pagat dhe produktivitetin e punës etj. Por, nga ana tjetër, shumë nga treguesit “fshehin” brenda tyre elementë që tregojnë për një realitet që duhet ndryshuar urgjentisht. Kështu, për shembull, tek treguesi “institucionet” ku renditemi të 87, kur është fjala për “pavarësinë e gjyqësorit” jemi të 106, për “mbrojtjen e të drejtës intelektuale” jemi të 120, për “të drejtat e pronësisë” jemi të 118, etj.; tek treguesi “stabiliteti makroekonomik” i cili ka qenë vazhdimisht krenaria e çdo qeverie shqiptare të këtyre viteve të tranzicionit, renditemi të 119 për “deficitin buxhetor” dhe të 125 për “nivelin e kursimeve të brendshme”. Po kështu, edhe për sa i përket treguesit të shëndetit dhe edukimit, ku megjithëse në tërësi jemi të 66, ajo që bie në sy është fakti se renditemi të 101 kur është fjala për shpenzimet për edukimin.
Më shqetësuese duket situata në dy nga treguesit më sinjifikativë të rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe zhvillimit perspektiv të ekonomisë dhe financave tona. Në këtë kuadër, në treguesin “inovacione” bie në sy fakti se kur jemi vlerësuar për “bashkëpunimin universitete-biznes” në kuadrin e kërkim-zhvillimit jemi renditur në vendin e fundit në botë, pra të 133; kur analizohet “cilësia e institucioneve kërkimore” jemi renditur të 128, pra në pesë vendet e fundit në botë. Kështu mund të vazhdojmë me “shpenzimet për kërkim-zhvillim nga ana e biznesit” ku jemi renditur të 126, etj. Po kaq problematike duhet gjendja edhe po t’i referohemi treguesit tjetër të “sofistikimit të biznesit”, tregues që krijon garancinë për zhvillim apo shpreh dobësitë e bizneseve në një vend, disa elementë të tij kërkojnë urgjentisht hartimin dhe zbatimin e disa politikave specifike. Në elementin “zhvillimi i klasterave” rezultojmë të 130, pra vetëm tre vende para fundit, tek “sasia dhe cilësia e ofertës lokale”, pra e prodhimit të brendshëm për të cilin flasim kaq shumë se duhet ta mbështesim me politika e masa konkrete, rezultojmë në vend të 110 dhe 116. Këtu mund të shtojmë dhe elementin e “përshtatjes me teknologjitë e reja” në të cilin jemi në vend të 105-të.
Zakonisht thuhet se këto shifra nuk kanë nevojë për koment, por në këtë rast, komenti dhe analiza e kujdesshme e tyre është e domosdoshme, në mënyrë që ato të mos bien “viktimë” e gjykimeve apo vlerësimeve të sipërfaqshme me natyrë politike e subjektive të tipit “sukses i madh që këtë vit si pasojë e politikave të suksesshme kemi avancuar 12 vende”, apo “qenia në vendin e 96 tregon për politikat e dështuara dhe për situatën dramatike në të cilën ndodhemi”, etj. Është momenti që konkluzionet që dalin nga analiza e këtij indeksi të gjejnë vend në objektivat dhe politikat e këtij mandati të ri qeverisës. Në këtë këndvështrim, themeluesi dhe presidenti i Forumit Ekonomik Botëror, Klaus Schwab, nënvizon se “në kushtet e krizës aktuale, për çdo vend është mëse e domosdoshme që vendimmarrësit politikë të kenë maksimalisht në vëmendje elementët thelbësorë që kushtëzojnë nivelin afat-gjatë të konkurrueshmërisë, dhe jo të fokusohen vetëm në masat emergjente të përballimit të krizës”. Ekonomi kompetitive janë vetëm ato që disponojnë faktorët bazë të garantimit të një niveli të lartë konkurrueshmërie, e cila gjithnjë e më tepër po konsiderohet si “motori kryesor që garanton një rritje ekonomike të qëndrueshme”.
Ekonomisti i shquar i Universitetit Columbia në SHBA, Xavier S. Martin, që është njëkohësisht dhe bashkautor i këtij raporti thekson se “mjedisi ekonomik që favorizon konkurrencën është i domosdoshëm për të ndihmuar ekonomitë nacionale që të përballojnë më mirë ciklet” dhe ulje ngritjet e ekonomisë dhe financave botërore. Komentet dhe analizat e këtij treguesi në shumë vende të botës, sidomos në ato të zhvilluara synojnë pikërisht këtë gjë: ta venë “zbërthimin” e këtij indeksi në shërbim të analizave sa më strukturore e afat-gjata të ekonomive e financave të tyre në mënyrë që të kuptojnë e reagojnë se sa janë të afta ti mbijetojnë krizave apo të garantojnë një rritje ekonomike të qëndrueshme. Sipas analistes ekonomike Annie Kahn, “indeksi i konkurrueshmërisë globale është një instrument shumë i mirë që tregon kapacitetin e çdo vendi për të mbajtur një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe një zhvillim afat-gjatë... kriteret e konkurrueshmërisë të lejojnë të gjykosh se cilat vende mund të bien më shpejt në kriza ekonomike dhe cilat janë më të mbrojtura prej tyre”. Kjo përbën dhe “syzet” me të cilat duhet lexuar e analizuar ky tregues për Ekonominë dhe financat shqiptare. Çdo masë ose politikë ekonomike në favor të rritjes së konkurrueshmërisë do të shkonte menjëherë në mbështetje të rritjes sonë ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm perspektiv.

Fuqia e Sistemit Financiar

Enio Civici

Shumë njerëz mendojnë se bankat janë institucione të cilat investojnë kursimet e klienteve për të patur përfitime. Nuk imagjinojnë natyrën e vërtetë të sistemit financiar, nuk mundohen të krijojnë lidhjen midis krizave ekonomike, papunësise e luftërave dhe këtij sistemi, si pasojë dhe nuk arrijnë të kuptojnë qëllimin e vertetë të tij.

Fuqia financiare ka konsistuar përherë në një fuqi të pakufijshme e cila synon ti shtyje popujt drejt zmadhimit të sundimit të tyre në shoqerinë globale. Në shek. XVII kjo fuqi financiare ishte në duart e Hollandës, e cila e fuqizonte me anë të metodave të dhunshme : tregtonte skllevër dhe mundësonte tregtimin e sheqerit, perpunimi i të cilit bëhej nga skllevërtit kryesisht afrikane. Si pasojë e luftërave napoleonike, ishte Anglia, e cila u fuqizua dhe ndryshoi drejtimin e tregtisë së skllevërve drejt sipërfaqes së saj. Bankierët angleze i drejtuan sytë nga revolucioni industrial i cili do ti rriste përfitimet dhe do ti shndërronte në kreditor, edhe mbi Shtetet e Bashkuara. Nderkohë që këta të fundit do të përdorin dy luftërat botërore për të dobësuar e induktuar drejt rregullave të tyre, Europën. Pra shfrytezimi i Afrikës, Azisë dhe Amerikës Jugore kishte bërë të mundur zhvillimin e ekonomisë Amerikane dhe Europiane.

Për të njohur të vërtetën mbi bankat,institucionet më të fuqishme të superfuqive botërore, në terma shumë pak teknik, mjafton të themi se paraja që banka ofron si kredi nuk ekziston, është “monedhë virtuale” por edhe si inekzistente përsëri është e pajisur me interesa. Banka krijon para thjesht duke shkruar numra në kompjuter ndërkohe që pagesat e borxhit duhet të jenë të përpikta se ndryshe shtëpia apo vetura, të cilat janë vlera reale, do ti jepen vetë bankës.

Bankat e ushtrojnë në fshehtësi fuqinë e emetimit të parasë. Mass mediat ushtrojnë një rol kryesor në këtë sekret ndërkombëtar. Manipulimi i realitetit është një nga fuqitë kryesore të saj. Si shembull marrim Bankën Europiane e cila përshkruhet si institucion financiar, mekanizëm i BE, ndërkohë që është vetëm pronë e pak privatëve. I njëjti fenomen ndodh për Federal Reserve, guvernatori i së cilës emërohet nga presidenti i ShBA për ti dhënë hijen e një insitucioni qeveritar.

Bankat i ofrojne kredi, fletë të printuara, shteteve të ndryshme duke i varfëruar gjithnjë si pasojë e detyrimit të këtyre të fundit për të paguar borxhin publik. Kjo do të thotë se ne paguajme më shumë se 1% te PBB vjetor një grupi personash të cilët dominojnë botën. Ligjet të cilat kontrrollojnë sistemin perëndimor bankar janë iracionale dhe anti-njerëzore. Arrihet një perfitim i pafundëm në dëm të popujve të ndryshëm. Elita financiare e ka arritur këtë fuqi të pashtershme me anë të mjeteve më të ndryshme ndër të cilët lufta, e cila e ndihmon bankën duke i lejuar të japi kredi të panumërta vëndit ne nevojë dhe mbas mbarimit të kësaj të fundit të mundësoje financimin e rindërtimit të vendit, duke arritur përfitime të tjera.

Ekonomia reale bazohet në sasinë e parase në qarkullim. Në qofte se ka mungesë të kësaj të fundit njerëzit duhet të reduktojnë shpenzimet, industritë minimizojnë prodhimin dhe ushtrojnë politikën e pushimit nga puna të punonjësve, kjo zvogelon akoma më shume sasine e parasë reale duke hapur rrugën drejt një krizë ekonomike.

Janë bankierët e mëdhenj ata të cilët vendosin në qoftë se një krizë duhet të nisi apo jo. Në 1929, këta bankierë rritën cmimet e aksioneve deri në vlera jashtëzakonisht të larta. Kjo rritje kishte si qëllim thithjen e depozitimeve të popullit të thejshtë. Në mesin e vitit 1929 mbi 9 milion amerikanë kishin investuar në burse. Në këtë moment interesant për një krizë ekonomike ishin favorite si për tu fuqizuar në kontekstin social ashtu dhe në atë ekonomik duke marrë pasuritë reale (dyqane, fabrika, industri e biznese) të atyre që nuk mund të paguanin më borxhet financiare. Kjo krizë u perceptua fillimisht nga Emile Moreau, guvernator i bankës qëndrore franceze i cili më 8 shkurt, 1928 shkruante në ditarin e tij : “Bankat terhoqën papritur 18 milion dollar nga tregu financiar duke limituar ofrimin e kredive dhe duke kërkuar kthimin e pagesave”. Kjo lëvizje bëri të mundur bllokimin ekonomik, pasojë e pasqyryar dhe në tregun e aksioneve. Ishte e pamundur të shmangej kriza e cila erdhi më 29 tetor të vitit 1929. Kjo krizë e Wall Street duhej të shërbente dhe për të vënë në vështiresi disa vënde europiane, në rastin konkret Gjermania, të conte popullin drejt dëshpërimit dhe si pasojë ardhjen në pushtet të forcave diktatoriale.

Elita finanziare Amerikane është krijuar me të gjithe fuqinë e saj ndërmjet dy luftërave botërore. Në 1944 autoritetet organizuan konferencën finanziare ndërkombetare të Bretton Woods (New Hampshire,USA), për të aplikuar planetit sistemin financiar favorit për ta. Dollari u vu në qendër të sistemit dhe mund të këmbehej me ar. Cmimi i valutes së tyre, shpallur zyrtar më 1934 ishte 1.1 $ për gram ar, dhe ndëjti i pandryshuar deri më 1971.

Bankat qëndrore të shumë shteteve në fund të luftërave nuk figuronin me rezerva në dollar dhe duke nisur më 1948 u detyruan të kembenin një pjesë të madhe të valutave të tyre në ar, me qëllimin për të shndërruar këtë të fundit në dollar, pra për të marrë pjesë në ekonominë ndërkombëtare dhe si pasojë për tu zhvilluar. Të gjitha shtetet u detyruan të derdhnin ¼ e kuotës së pjesmarrjes në FMN në ar. Kjo e fundit dhe si pasojë SHBA u pajis me 70% të rezervave të arit në botë. Kjo deri në momentin që Japonia dhe Europa u fuqizuan duke sjellë zvogëlimin e fuqisë Amerikane të rezervave në 44% më 1960 dhe në 21% më 1971 kur presidenti i asaj kohe Nixon hodhi poshtë fuqinë e dollarit për tu konvertuar në ar. Si pasojë cmimi i naftës u rrit duke sjellë një krizë në sistemin monetar ndërkombëtar dhe duke goditur kryesisht vëndet e botës së tretë me vlera inflacioni tepër të larta. Ky rregull i ri botëror solli vështiresi në shumë pjesë gjeografike duke vështiresuar kontrrollin e këmbimeve e duke shndërruar ekonomi të tëra në totalisht debitore. Bankat me anë te kredive ushtrojnë fuqi në hartimin e shërbimeve publike apo vendimeve politike dhe do ishin në gjëndje të nisnin luftera të tjera për të shmangur dështimin total të një ekonomie të bazuar mbi borxhin si publik ashtu dhe privat.

Sektori financiar nuk duhet të diferencohet nga ai prodhues sepse në të vërtetë flitet për të njëjtit persona, të cilët kanë paranë për të investuar në industri ose për të prodhuar materiale e sherbime. Globalizimi neoliberal ishte projekti i bankave për të përqendruar parane botërore në duart e tyre.

Në dhjetëvjecaret e fundit, me anë të liberalizimit, sektori financiar është forcuar , duke lejuar disa palë të kenë përfitime të majme, të cilat në sektor të tjerë nuk mund ti kishin. Si pasojë shumë industrialiste kanë hequr dorë nga aktivitetet e tyre për tiu dedikuar spekullimeve financiare. Shkrirjet apo blerjet e grupeve ndërkombëtare apo bankave kanë bërë të mundur fitimin e miliarda dollarëve dhe përqëndrimin e 80% të pasurisë botërore në vetëm 2% të familjeve në mbarë planetin, dhe këtu flasim për familje si Rockfeller apo Rothschild.

Me anë të luftërave apo krizave financiare bankat ndërkombëtare kanë rikolonizuar vëndet e botës së tretë e duke kthyer në varfëri të tejskajshme miliona njerëz.

Zambia, një vënd me resurse të pafundme minerale që në periudhën e kolonëve angleze u detyrua të dërgoje miliona fshatar nga punimi i tokave të pasura drejt minierave. Rrogat ishin në shifra të ulta dhe varferia rritej. Në ndihmë erdhi Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (insitucione të krijuara më 1944 në Bretton Woods). Borxhi publik u rrit ndërkohe që varferia po arrinte shifra alarmante, kjo sepse ky borxh nuk shërbente për të zhvilluar vendin por për ta nënshtruar ndaj fuqive ekonomike duke përfunduar në xhepat e funksionarëve të korruptuar. Sot Zambia është një nga vendet me borxh publik më të madh në botë, shifra të cilat arrijnë nv 6.758 milion dollar, ndër të cilët 55% bankave të shteteve të huaja e 42% të tjera BB e FMN. 70%-80% e popullit zambian jeton nën limitin e varfërise (1 dollar në ditë), ndërkohë që prodhimet e vendit eksportohen duke sjellë perfitime bankave.

Sistemi financiar perëndimor njeh vetëm një konkurrent parësor, atë islamik. Ky sistem pranon idenë e perfitimit monetar si rrjedhim i punës por jo konceptin e interesave mbi paranë. Bankat islamike janë përhapur fuqimisht në 30 vjetet e fundit duke ndërtuar mbi 100 banka në më shumë se 40 vende të botës dhe duke akumuluar nga 5 bilion dollar më 1985 në 60 bilion me 1994.

Bankat e Wall Street si Carlyle Group apo Goldman Sachs vitet e fundit, si pasojë e fuqisë së tyre mbi klasat politike, nuk kanë njohur më kufij në aplikimin e strategjive të tyre ekonomike e financiare në vendet e mbare botës të cilat konsistojnë në shkurtime të shpenzimeve në sektorin publik dhe favorizime ndaj klases së lartë shoqërore ndërkohe klasa e mesme varfërohet pasi papunësia rritet e rrogat ulen. Cilësia jetesës shkon drejt uljes, istitucionet janë gjithmonë e më pak të përqëndruara tek qytetari pasi duhet të paguajne një pjesë të mirë të prodhimit vendas tek bankat. Shkurtimet në sektorin publik sjellin uljen e cilësise së shkollimit e sherbimeve mjeksore. Pra, Bankat ushtrojnë një fuqi të pashtershme drejt vendeve të botes duke kushtëzuar zhvillimin ekonomik, kuluror, moral e shpirteror te popujve. Ne vendet e botes se trete krijojnë luftëra për të përfituar në vlera monetare e në ato të botës së parë ndalojnë rritjen e mirqënies e mbajnë nën kontrroll të rreptë zhvillimin e ekonomisë. Klasa politike botërore i përket bankave dhe detyra e tyre nuk është më qeverisja funksionale por bindja e popullit se punojnë në shërbim të tyre.

Kompleksiteti dhe qillimi i këtij sistemi të padrejte ka ekzistuar dhe do të ekzistojë në përjetësi, shpresat e vetme të vëndeve të botës së tretë dhe vëndeve në tranzicion si Shqipëria, janë politikat efikase të zhvillimit të qëndrueshëm dhe eficenca ekonomike e vazhdueshme si e administratës publike ashtu dhe asaj private.

Kultura e kafese

Enio Civici

Pse vazhdimisht jemi të prirur e tentojmë të zgjidhim problemet me anë të “miqve” ? Pse, sa herë kemi një problem në gjykatë, Bashki, zyre taksash, Ministri, agjensi udhëtimesh, etj., pyetja e parë që bëjmë është “si e ka emrin gjyqtari”?, “kush është drejtori”?, “nga cila krahinë është pronari”?A duhen konsideruar si procedura të gabuara ato informale, pasojë direkte e një mungesë supervizimi ligjor? Jemi ne të cilët tentojme drejt rrugës më të shpejtë dhe me pak të kontrrolluar apo janë institucionet që nuk na ofrojnë asistencën dhe shërbimet përkatëse? Pse mundohemi të fshihemi pas informalitetit? Pse jemi përherëe në kërkim të rrugëzgjidhjeve “të thjeshta”? Pse tentojme të anashkalojmë vazhdimisht strukturat e paracaktuara sipas të cilave ne duhet të veprojmë? Përgjigjja mund të ndodhet në procedurat e tejzgjatura dhe lodhëse të sistemit tonë apo në mungesën e “konsolidimit burokratik”, institucional e ligjor i cili vazhdon të na karakterizojë?

Shoqëria shqiptare prej kohësh po mundohet të largohet nga rrjedha e instrumentave aspak serioz në marrjen e një vendimi, me efikasitet por fatkeqësisht pa ndonjë sukses radikal. Historia jonë, e sfazuar dhe e riformatuar forcërisht disa herë nga civilizime dhe kultura të ndryshme nga ato europiane na deshmon se Shqiptarët i kanë mbrojtur me krenari dhe guxim vlerat e tyre kombëtare edhe pse këto të fundit kane qenë të pakta. Zbrazëtirat e një shoqërie pothuajse hibride i kemi mbushur ndër shekuj me veset dhe virtytet e popujve të cilët na kanë uzurpuar, kontrolluar apo dhe ndihmuar. Përzierja e një ftohtësie dhe mungese vitaliteti, karakteristike e popujve sllave, me nxehtësinë dhe “cmendurinë” e atyre tipikë mesdhetarë tek ne ka rezultuar një sjellje e konceptueshme vetëm nga vetë shqiptarët. Jemi të akullt dhe gjaknxehtë nga njëra anë dhe tolerantë e të paskrupullt nga ana tjetër. Politika dhe massmedia shqiptare janë një dëshmi e padiskutueshme e këtij fenomeni, ato na paraqesin luftën e larmishme institucionale që zhvillohet në vend dhe të kapitur nga një seri pafund mosmarrveshjesh publike e politike ne nuk arrijmë të perceptojmë si është e mundur që cdo konsensus arrihet brenda ditës ose dhe natës, por edhe pse “sherret” qoftë dhe banale kanë jetëgjatësi disa mujore apo vjecare duke na u bërë pengesë serioze për zhvillimin.

Ndikim të drejtpërdrejtë në këtë absurditet mendoj se ka dhe kultura arabo-turke ose orientale e e cila ka kontribuar në integrimin dhe konsolidimin e fuqishëm të institucionit të “kafes”. Kafe-ja, e zbuluar rreth shekullit të IX në vargmalet e Etiopisë dhe e përhapur në Europë në shek. XV nga bota arabo-muslimane e cila përfaqësohej në atë kohë nga perandoria Turke, ishte pija e preferuar e fshatarëve arabë e lindorë të cilët e përdornin për energjinë të cilën transmetonte. Sigurisht ata nuk mund të imagjinonin se në një vend larg tyre, shumë shekuj më pas, atje ku ata nuk mund të mendonin e jo të parashikonin, kjo pije do ishte pikënisja e shumicës së marrëveshjeve, e lidhjes apo prishjes së besës, e nënshkrimit të kontratave, e shpalljes së hakmarrjes, e tregimit të guximit, e tradhtisë, e ambicjes, e xhelozisë, e lidhjes së dy të dashuruarve apo dhe e prishjes së dashurisë së tyre..

Faji për këtë fenomen mund ti vihet asaj kategorie njerëzish, të cilët të pajisur me statuse të padiskutueshme mund të grinden, pajtohen, hakmerren dhe mallkohen brenda nje ditë të vetme në vendin i cili i duket më i përshtatshëm e rehatshëm, “Bar-Kafe”. Në Shqipëri kafeja është kthyer në institucion, bile nga më kryesorët. Biznesmenët, politikanët, akademikët, shoqëria civile problemet kryesore i zgjidhin në kafe, para kamerave në më të shumtën e herëve dalin nga kafe ose klube. Shprehja më e përhapur në Shqipëri, apo fillimi i shumicës së bisedave e kontakteve tashmë është e tipit “a pimë një kafe”?, “ke mundësi të takohemi për një kafe”?, etj.

Dy kategoritë kryesore të konsumatorëve të kafes janë të rinjtë të cilët humbin kohën aq shumë të cmuar duke u endur nëpër diskutime të kota e të paqena nëpër kafe pa fund dhe tjetra janë personat të cilët kanë tendenca të anashkalojnë strukturat asistuese përkatëse me qëllimin e thjeshtë për të fituar pak më shumë. Kemi kohë dhe do vazhdojmë ta bëjmë sepse kjo dukuri bën pjesë tashmë në identitetin e shqiptarëve, të cilët të rritur në kufijtë e ngushtë të fshatrave apo qëndrave të vogla urbane periferike dhe të induktuar nga një kryeqytet pa shumë oportunitete do të kthejne kokën pas e do të struken në gjirin e tradicionales së sprovuar, e cila mund të sjelli probleme, por që gjithsesi janë të gjitha të parashikuara dhe “jo fort të rrezikshme”. Kështu ne po jetojmë në një botë të mbyllur dhe të konsumuar, të harlisur nga bukuritë materiale dhe të pafuqishëm apo të pavullnetshëm për të kërkuar risi emocionale e vetëkënaqëse. Kemi perfeksionuar aq shumë “traditat” dhe i kemi shkrirë me botën institucionale aq sa cdo shqiptar është i bindur se e di si funksionojnë politikat publike, marrëveshjet bankare, instrumentat sociale, përzgjedhja e administratës shtetërore e private, drejtimi i qeverisë dhe shtetit, gjeopolitika ndërkombëtare, etj., etj. Gjithashtu duke qenë shoqëri e vogël jemi më të prirur drejt informalizimit të procedurave si informative ashtu dhe administrative.

Bota moderne perëndimore, drejt së cilës ne duam të shkojmë dhe së cilës pretendojmë se i përkasim, e quajtur ndryshe dhe “Burokraci e konsoliduar” duhet të na mësojë të institucionalizohemi më shumë. Roli kryesor në këtë detyrë në ndryshim nga rastet e tjera, në të cilat i përket shtetit, i takon padiskutim qytetarëve shqiptarë. Nevoja për ndërgjegjësim është aq e domosdoshme sa kërkon një punë intensive morale e promovuese. Në disa vende ballkanike, të cilat vujanë nga e njëjta sindrome si Serbia, Bullgaria, Maqedonia, Kosova, Bosnja e Rumania janë përgatitur tashmë e po zbatohen projekte e masa specifike me përmbajtje informative mbi të mirat e një shoqëerie “në favor zyrtarizimit të veprimeve ekonomike, shoqërore dhe administrative” në sens të kundërt me “informalitetin e kafesë”. Pushteti i katërt dhe më i fuqishmi, ai i medias dhe informacionit, prej shumë vitesh ndihmon shoqëritë e zhvilluara në zgjidhjen e problemeve të natyrave të ndryshme. Në Shqipëri ky pushtet mund të konsolidohet akoma më shumë në rastin e një aplikimi tejmase të perhapur të frymes korrekte dhe publike, të procedurave të pa ngecura nëpër hallka të korruptuara, të medias së lirë e pacënuar nga interesa personale, të zhvillimit mendor e shoqeror, të liberalizmit demokratik dhe të vullnetit të mirë për zhvillim ekonomik e social. Nuk ka rëndësi se kush na drejton, rëndësi ka mënyra se si e bën, transparenca e të vepruarit dhe evidentimit të rezultateve për publikun. Nuk mundim ne të vendosim në mënyrë korrekte për gjithcka por ama duhet të jemi në dijeni të plotë të opsioneve të mundshme, duhet të aplikojmë me shumë referendumet e konsultimet masive popullore dhe sigurisht duhet të respektojme verdiktin e tyre.

A është zgjidhje Energjia alternative…?

Enio Civici

Aktualisht vuajmë nga një krizë e perhershme energjie, kryesisht elektrike. Kjo sepse burimet tona energjitike mundesohen nga Hidrocentralet. Perkufizohemi si të varur kryesisht nga sasitë e rreshjeve që bien në vend. Shqipëria është e bazuar në 95% të rasteve në konsumin e vetëm të energjisë elektrike dhe kjo na bën dipendent të parashikimeve metereologjike. Një problem ky që na ka shoqeruar në 17 vite tranzicion, gjithashtu nuk ka munguar gjatë regjimit diktatorial komunist por në ato kohera mungesa e energjisë interpretohej si panevojshmëri e popullit shqipëtar ndaj lukseve të kapitalizmit. Së fundmi konsiderohemi si vënd potencial për hyrjen në Bashkimin Europian, dhe sigurisht që energjia e munguar, e pavazhdueshme dhe jo e sigurtë duhet të konsiderohet një pengesë.

Si e ka zgjidhur Europa dhe vendet e zhvilluara këtë problem ?

Në vitet 80’, por edhe më parë, ekonomia botërore njohu si zgjidhje momentale përdorimin e gazit si zëvëndësues në një pjesë të mirë të jetës së përditshme por dhe aplikimit në fusha të tjera si për shembull, ngrohje, për funksionimin optimal të industrisë,etj. Më pas rreth viteve 90’ edhe gazit si burim enrgjie i erdhi fundi, duke u shndërruar në të parapëlqyerin e përdoruesve shtëpiake, pra u perdor dhe vazhdon të përdoret kryesisht per gatim. Kjo erdhi si pasojë e pakësimit të rezervave të gazit, për rrjedhojë dhe shtrenjtimit të cmimit të tij. Këtij problemi vëndet e zhvilluara i’u përgjigjën me ndërtimin e centraleve atomike, apo të quajtura ndryshe dhe centrale bërthamore..Në ditët e sotme Shba renditet e para në numrin e centraleve atomike duke u ndjekur nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Japonia dhe 10 vjecarin e fundit Kina.

Por nafta, benzina apo i quajtur ndryshe dhe ari i zi, mbetej burimi konsistent dhe i pacënuar i energjise boterore. Kjo përpara se sasia aq shume e konsiderueshme e saj të cënohej për shkaqe natyrale në 10 vitet e fundit..Aktualisht sasia e petrolit është në minizim konstant dhe parashikimet e shkencetareve kanë bërë të qartë se në vitin 2050 ky burim do te quhet “specie në zhdukje”.

Cfare masash po merren nga forcat ndërkombëtare..?

Vëndet perëndimore dhe jo vetem ato, kane rreth 15 vjet që mundohen të implementojnë kulturën e energjisë alternative, pra asaj të ndryshme nga uji, gazi, atomi apo nafta, dhe në 80% të popullsise së vëndeve të tyre ja kanë arritur ketij qellimi madhor dhe revolucionar. Por është jashtëzakonisht e veshtirë të ndërgjegjesosh pjesën tjetër të botës lidhur me këtë problem. Një popull i cili nuk mundet të shijoje frytet e një elektriciteti konstant gjatë të 30 ditëve të muajit nuk mund të shqetësohet për kujdesin e shfaqur ndaj burimeve të energjisë nga ato 15 shtete të “pasura” të botës. Këtu mund të futet dhe Shqipërise, e cila edhe pse pre e projekteve të shumta të zhvillimit të qendrueshem ekonomik e social, vazhdon t’i mohohet gëzimi i fryteve të civilizimit modern..

Momentalisht energjitë alternative më të njohura dhe më të mundshme për tu përdorur në të ardhmen si burim jetese janë hidrogjeni, energjia nukleare, energjia e riciklueshme, ethanoli (sheqeri), misri, duhani..Pra mundësite nuk mungojnë por as sukseset në perdorimin e këtyre energjive nuk rrinë prapa.

Brazil

Rast i konsideruar favorit për tu marrë si shembull është kryesisht Brazili, i cili duke u futur në boshtin 2-palesh të vëndeve lider të ardhshëm të planetit, Kinë-Indi e ka shndërrruar këtë bosht të quajtur Cindia në BIC (Brazil-Indi-Kine). Brazili prej rreth 10 vjetesh ka investuar pothuajse 10 miliard dollar në industrinë e kallameve të sheqerit. Me anë të këtyre investimeve është bërë e mundur zhvillimi i disa metodave për përftimin e ethanol, ingredient bazë i gasohol, burim energjie me efekte të ngjashme me ato të naftes. Këtë vit Shteti i Brazilit arriti pavaresine energjitike, qëllim në të cilin SHBA, vëndi më i fuqishëm i botës, rezultoi dështues.Si pasoje e kësaj, Brazili është në gjëndje të furnizojë plotësisht tregun kombëtar me energji, gjithashtu të eksportoje në sasi të mesme atë ndërkombetar. Kompanitë vëndase parashikojnë në 3 vitet e ardhshme një investim prej 9 miliard dollaresh në këtë industri duke favorizuar dyfishimin e shifrave të eksportit, pra duke arritur në 35% . Drejtuesit prononcohen duke thënë se siperfaqet nga Japonia në Nigeri janë potenciale për t’iu nënshtruar kesaj forme të re energjie..

Kine

Gjithashtu Republika Popullore e Kinës ka aprovuar këtë muaj një fond prej 4 miliard dollarësh investime në fushen e energjise se riciklueshme . Edhe pse analistet i komentojne kostot e larta dhe tarifat e uleta të energjisë së riciklueshme si shkak të pasigurisë së qëndrueshme ekonomike, drejtuesit vëndas të drejtuar nga governatori i Bankës Qëndrore Kineze mbeten optimiste.

ShBA

SHBA nuk mundet të mbetet mbrapa me keto investime radikale në fusha të paeksploruara. Një nga kompanitë më të fuqishme jo vetëm në vënd por dhe në Botë, Honda, ka deklaruar ekspozimin në treg, 10 vjet perpara kohe, të automjeteve funksionues me hydrogjen. Kjo konsiderohet një levizje shumë e guximshme e multinacionales duke konsideruar dhe faktin se kjo teknologji është aprovuar vetëm në formën e prototipit..

Italia

Europa ne kete rast perfaqesohet nga Italia, e cila fillimisht ka konsideruar si energji alternative misrin dhe duhanin..Por nderkohe qe misri në qofte se kthehet në energji dhe jo miell mund të coje në rritje stratosferike të cmimeve të bukës si dhe të shkaktojë uljen e cilësisë së bukës dhe prodhimeve të tjera derivate, duhani nuk paraqet një problem të tillë..Keshtu nderkohë që kompanite Italiane mundohen të zhvillojnë enrgjine e sheqerit dhe ta shnderrojne në energji fitimprurese, Corrado Fogher, drejtor i «Plantechno» ka patur idenë gjeniale dhe e ka patentuar menjëherë..Pse mos tentojme të prodhojme energji duke perdorur duhanin? Në fund të fundit nuk eshte bimë ushqyese dhe rritet pothuajse në cdo lloj toke..Cdo hektar luledielli prodhon 10 quintal vaj..nderkohe qe 1 Hektar duhan prodhon 20 kuintal, me anë të kryqezimeve të tipeve të duhanit mund të arrijme shifren record 40 kuintal, gati per tu djegur, dhe kjo ndodh krejt natyrshem pa perdorur metodat gjenetike të quajtura ndryshe OGJM. Me cfare janë të barabartë 40 kuintal vaj të djegshëm..? Në terma praktike një industri do ishte autosuficente vetëm me anë të 5 hektarëve duhan, keshtu është shprehur Fogher, i cili është gjithashtu optimist në perdorimin e vajit të duhanit nëpër tavolina. Sipas tij kjo energji alternative potencialisht një nga zevendesueset e petrolit do të jetë gati në vitin 2008, ndërsa për të shijuar sallatat në shtepitë tona me këtë vaj paksa të pazakontë do të na duhet të presim dhe disa vjet..

Me anë të këtyre shëmbujve kuptojme se energjia e ndryshme nga petroli nuk është më një ëndërr por një realitet që po e jetojmë gjithmonë e më shumë..Në një botë ku probleme kryesore konsiderohen ngrohja globale, obeziteti i shoqerisë amerikane dhe injoranca si pasoje e videolojrave te asaj aziatike duhet të fokusohemi më shumë në ato cështje kapitale qe na mundesojnë komoditetin .Sigurisht që permasat dhe kualifikimi i Shqiperise nuk jane në standartet e duhura për të aplikuar energjite alternative por duhet të jemi të ndërgjegjshem që do t’i vije dhe vëndit tonë rradha për tu përfaqësuar në këto fusha.Momentalisht le të shpresojmë që në shtëpite tona do të ketë energji elektrike 24 orë në ditë, të mjaftueshme e të nevojshme për të përmbushur nevojat bazë të ekzistencës njerëzore..

Lideret e kapitalizmit global : Me shume fuqi ekonomike per Shtetet Aziatike

Enio Civici

DAVOS-Fuqizimi i Kines mbi ameriken pritet mbas vetem 28 vjetesh, ne 2035. Me pas ne 2050 do te jete India ajo e cila do e kaloj, duke arritur standartet Kineze. Bota do te perfshihet ne sfiden midis dy gjiganteve aziatike.

Duke mos kontrolluar boom-in e lindjeve, India ndodhet perpara: Fuqia punetore me moshe me te re ne te gjithe boten. Skenari i pergatitur nga Goldman Sachs, banka lider boterore ne fushen e investimeve dhe menaxhimit, ndodhet ne qender te vemendjes ne forumin boteror ekonomik (WEF). “Shifting Power”, spostimi i fuqise, eshte titulli i forumit te 2006 ne Davos, Zvicer. Lideret e kapitalizmit global bien dakort ne kalimin e fuqise boterore nga Shtetet e Bashkuara te Amerikes drejt Cindia-s (China-India). Intensiteti i konkurences dhe fuqia demografike jane ne favor te Azise. Renia e SHBA sipas studiuesve Paul Kennedy dhe Nial Ferguson do te shpejtohet si pasoje e prezencave ushtarake shume te zgjeruara. Por ne qofte se asnje nuk ve ne dyshim zbehjen e perendimit atehere ne horizont do te shfaqet nje sfide per pushtetin boteror, Kina apo India? Ne kohe afat-mesme Pekini do kryesonte : ritje e PBB, ritje e prodhimit, rritje e eksporteve, thithje e investimeve te huaja.


Por ne pak dhjetevjecar skenari mund te permbyset si pasoje e demografie. Suksesi i Republikes Popullore ne kontrollimin e lindjeve, politika e femise se vetem, ndiqet nga nje kosto e pamenjanueshme.”Prej plakjes se shpejte te popullsise – tregon raporti i Goldman Sachs – Kina sot i ngjan vendeve te pasuara ne nivelin e strukturave te brezave. Ne me pak se 20 vjet popullsia kineze do te jete me e plakur se ajo amerikane”. Ne Davos, Min Zhiu, zevendes president i Bank of China, shpjegon se Kina kursen 50% te prodhimit te brendshem bruto te saj dhe mbledh rreth 1 miliard dollare ne rezerva valutore pikersisht sepse eshte e pergatitur te perballoje shoc-un ekonomik te plakjes se popullsise. Ne 20 vitet e ardhshme Kina do te rritet me 150 milion banore dhe do te arrije 1 miliard e gjysem, por rritja do te jete e perqendruar ne brezat e moshuar.

Nga ana tjeter, India do te kete 300 milion banore me shume, keshtu dhe ajo do te arrije shifren 1 milard e gjysem, por ama rritje do te jete e perbere nga mosha te reja. Kur Kina te filloje te kerkoje resurse me te medha personeli, fuqia punetore indiane do te jete akoma ne kulmin e rinise.

Sot India ka rreth 200 milion te rinj ndermjet 15 dhe 24 vjec, pra me shume se gjithe popullsia e Brazilit dhe per me teper 70% e banoreve te saj kane me pak se 35 vjec, thote demografi i universitetit te Harvard, David Bloom. “Jemi plotesisht te barabarte me shtetet tuaja te pasura” thote presidenti i dhome se tregtise Indiane Seshasayee, sepse kemi resurset qe juve do ju mungojne me shume, nje pafundesi te rinjsh konkurues, te motivuar, entuziast dhe plot besim ne te ardhmen.



Per me shume se gjysem shekulli India do te kete vantazhin e te qenit kolosi me i ri i planetit. Sigurisht qe ky resurs permban pergjegjesi dhe rreziqe. Samuel Hanigton, shkrimtari i “konflikt qyteterimi”, ka pohuar se shoqerite me nje proporcion te madh moshash te reja jane me te prirur te jene viktima te konfikteve te dhunshme shoqerore. “Celesi qendron ne dhenien te gjitheve shkollimin e duhur” pranon presidenti i Dhomes se tregtise Indiane. Fama Boterore e Politeknikeve tane nuk duhet te na verboje: Universitetet prestigjoze ne Indi formojne nje elite te jashtezakonshme por ama eshte nje minoritet. Shumica e shkollave publike jane mediokre dhe vetem 10% e femijeve arrin ne shkollat e mesme.



Modeli i zhvillimit Kinez, i themeluar mbi industrine, eshte me efikas ne rastin e thithjes se 20 milion fshatareve te cilet emigrojne ne qytet per tu integruar ne tregun e punes por jo per politikat indiane. Pika kryesore e konkurences se vendit te Hinduizmit qendron tek sherbimet, me konkretisht ne fushen e software-ve informatike : nje sektor super-modern, por qe i vetem nuk mundet te perballoje problemin e punesimit, jo per nje vend me keto permasa. Sektori i sherbimeve puneson 107 milion persona, ndersa artizanati indian me shume se 500 milion. Inxheniere e programues te Information Technology jane puthuajse 0.1% e forces punetore. Dhe ne rastin e zhvendosjes se pjeses tjeter te botes drejt informartikes indiane – sipas Goldman Sachs – perseri nuk do te krijonte me shume se 5 milion vende pune brenda nje dhjetvjecari.


Por, ashtu si asnje investues global nuk deshte te humbte integrimin e jashtezakonshem te Indise ne vitin 2006 ne tregun boteror ekonomik,ashtu dhe viti 2007 pritet te kete te njejtin sukses. Midis prillit dhe Shtatorit 2006, rritja pershpejtoje me 9.1% Komisioni planifikues kombetar beson se kj o rritje do te jete e qendrueshme per 5 vitet e ardshem, pra ne periudhen 2007-2012.

Ne kete fushe kane kontribuar dhe kompanite kombetare indiane te cilat me ane te dy investimeve kolosale brenda vendit, ate te Corus(prodhuesit te celikut Britanik), dhe Hutchison Essar (operatorit te telefonise celulare indian) kane konfirmuar, kjo dhe sipas gjigandit boteror Vodafone, strategjine e re te tregut indian drejt biznesit global. Pervetsimi nga ana e indianeve e mundesive ekonomike do te mundesoje hapjen e tregut kombetar.

Sipas gazetarit italian, Federico Rampini, i cili jeton ne Kine dhe Indi prej rreth 10 vjetesh, sfida Indiane kerkon sforco te tjera : investimente ne shkollim dhe infrastrukture, nje liberalizim me i dukshem me qellimin e terheqjes se investimeve te huaja, fleksibilitet ne tregun e punes dhe shkurtimin e masave burokratike. Per te mposhtur Kinen, India do duhet ti ngjasoj me shume ne : modernizmat e autostradave dhe aeroporteve, ne zhvillimin punetor e ne hapjen drejt tregjeve globale. Presidenti i komisionit te planifikimit te New Delhit, Montek Ahluwalia, pranon se dhe ne politiken e lindjeve do deshte ti ngjante me shume Kines :”Nuk them rregulli i femise se vetme por dhe per nje mesatare prej 2 femijesh per familje nuk do me vinte keq”.

“Por perseri qendron fakti se ne, ndryshe nga Kina, keto zgjedhje nuk mund tiua detyrojme familjeve. Keto jane limitet e demokracise. Zvogelimi i lindjeve tek ne po ndodh natyrshem, me ane evoluimit qytetar, urbanizimit dhe rritjes se mirqenies. Demografet dhe ekonomistet na sigurojne se ne kete rast demokracia i ka dhuruar Indise nje vantazh te dukshem kndrejt fqinjit te saj”.

Gjashtë krizat që po trondisin botën

ADRIAN CIVICI

Kapitalizmi ndodhet në një pikë kritike që kërkon zgjidhje radikale në mënyrat e kompozimit dhe menaxhimit të tij. Pyetjet që kërkojnë zgjidhje të reja janë : a duhet të vazhdojë të jetë modeli amerikan apo perëndimor i zhvillimit dhe konsumit i vetmi model dominues në shekullin e XXI-të?, A mundet që vetëm një grup vendesh apo institucionesh ndërkombëtare të vendosin për gjithshka në zhvillimin ekonomik-social të botës?, A kanë limit burimet natyrore të planetit?, A duhet që zhvillimi i qëndrueshëm të bëhet kryefjala e çdo modeli zhvillimi?, etj.


Tashmë të gjithë janë të bindur se planeti ynë ka hyrë në një krizë globale që në vetvete përmbledh ose përbëhet nga gjashtë kriza specifike : kriza financiare, monetare, ekonomike, ushqimore, energjitike, ekollogjike. Është hera e parë në historinë tonë moderne të shekujve të fundit, apo më saktë në “periudhën e kapitalizmit” dhe revolucioneve industriale që bota përballet me kaq shumë çështje shqetësuese njëherësh. Ekspertët, politikanët, shkencëtarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile janë të bindur se këtë rradhë përgjigjia dhe dalja nga kriza nuk mund të jetë as individuale për shtete apo rajone të ndryshme të botës, as pjesore për elemente të vecanta të saj. Duhet hyrë, pranuar dhe shpjeguar thelbi i vërtetë i saj : është krizë e modelit të zhvillimit?..e vetë kapitalizmit?...e menaxhimit të globalizimit?..apo thjesht produkt i historisë, koncepteve dhe institucioneve ndërkombëtare.

Gjithshka filloi të shfaqej gjatë vitit 2007 thjesht si një krizë financiare që e kishte origjinën nga kreditë e këqija në tregun imobiliar amerikan. U shtruan shumë pyetje që kërkonin përgjigje. Do mbetej e lokalizuar vetëm në SHBA?, do përhapej në Europë? Do prekte gjithashtu edhe vendet emergjente dhe ato në zhvillim?, ishte një krizë konjukturore apo strukturore?, etj. Personalitete nga më të spikaturit e botës ekonomike e financiare botërore si Alain Greenspen, Dominique Strauss Kahn, Ben Bernanke, Jean Claude Trichet, etj., në atë periudhë e trajtuan me shumë prudencë këtë krizë duke e cilësuar si “një turbulencë e tregjeve financiare amerikane” që duhej menaxhuar me kujdes në intensitetin dhe përhapjen e saj në Europë dhe në vende të tjera të botës. Por shumë shpejt “turbulencat” e tregjeve financiare goditën rëndë dollarin amerikan i cili filloi të ç’vleftësohej me shpejtësi në raport me euron duke nxjerrë në evidencë edhe një situatë alarmante të ekonomisë amerikane. Krizë konjukturore, stanjacion, recesion apo stagflacion? Barometri i pesimizmit të ekonomisë, financave, biznesit dhe konsumatorëve amerikanë vazhdon të ulet për ditë. Ndërkohë, në tremujorin e parë të 2008 kriza financiare filloi të shfaqej dhe në Europë. Fillimisht në Angli, pastaj në bankat zvicerane, franceze, gjermane, etj. FMN e vlerësonte në rreth 1000 miliard dollarë humbjet nga kjo krizë, ndërkohë që bën parashikime aspak optimiste për nivelin e rritjes ekonomike dhe inflacionin në ekonomitë kryesore të planetit.

Paralelisht me këtë fenomen, tregjet dhe ekonomitë e shumë vendeve të botës u tronditën nga çmimi i naftës që arriti frikshëm nivelin e 120 USD/baril duke mbjellë panik ndërkombëtar për të ardhmen e zgjidhjes së problemeve energjitike në shumë vende të botës. Është mungesë e ofertës nga vendet e OPEC-ut?, është pasojë e fondeve spekullative?, u shkaktua nga rënia e dollarit?, kërkesa botërore është mjaft më e lartë se oferta e mundshme?...etj., janë disa nga pikpyetjet që vazhdojnë të mos kenë të njëjtën përgjigje nga ekspertët, politika apo institucionet ndërkombëtare. Por nga ana tjetër, çmimet e produkteve ushqimore bazë si orizi, gruri, misri, mielli, vajrat e ndryshëm, etj., pothujase u dyfishuan në 18 muajt e fundit duke risjellë në vëmendjen e të gjithëve rrezikun e urisë për qindra milionë njerëz, sidomos për vendet e varfëra dhe ato në zhvillim, frikën e krizave të bukës apo orizit dhe luftrave civile “me shkak kryesor luftën për mbijetesën e përditshme”, ndërkohë që vendet e pasura e të zhvilluara po i përdorin gjithnjë e më shumë këto produkte për prodhimin e bio-karburanteve. Vetëm SHBA tërhoqi nga tregu ushqimor dhe përdori për bioetanol mbi 140 milion ton misër, ndërkohë që edhe BE planifikon që mbi 10% të nevojave të tij energjitike ti plotësojë në të njëjtën mënyrë. Në këtë “luftë të pandershme për bukën” u arrit deri aty sa OKB dhe Programi Botëror i Ushqimit të bënin thirje për një moratorium ndërkombëtar 5 vjeçar për ndërprerjen e prodhimit të bio-karburanteve duke i akuzuar vendet e pasura për “krim kundër njerëzimit”.

Jashtë shqetësimeve dhe pikpyetjeve nuk po mbeten as problemet e mjedisit dhe ekollogjisë. Vazhdimi i shkatërimit të pyjeve, ndotja alarmante e ajrit në shumë vende të botës, shpërdorimi dhe humbja në mënyrë të pakthyeshme e tokave bujqësore, betonimi dhe asfaltimi i pandalshëm i planetit, zvogëlimi i rezervave të ujit, ndotja e detrave dhe lumenjve, dëmtimi i brezave koralorë, rënia e rezervave botërore të peshqve, shkrirja e akullnajave mijëra-vjecare në të dy polet e tokës por dhe në shumë maja malesh, prishja e biodiversitetit dhe zhdukja e mjaft bimëve apo kafshëve, etj., janë po kaq shqetësuese sa krizat e mësipërme. Gjithashtu, tashmë të gjithë po binden se fenomeni i “ngrohjes globale” nuk është thjesht një “science fiction” apo fantazi e lëvizjeve ekollogjiste. Pasojat e saj po ndjehen përditë dhe nga të gjithë. Zjarre në pyje, përmbytje masive, temperatura të pazakonshme për stinët, sëmundje të reja të panjohura, efekte te cikli jetësor i mjaft bimëve dhe kafshëve, etj., janë tashmë objekt i mjaft konferencave dhe samiteve botërore të niveleve nga më të lartat.

Cfarë po ndodh në këtë dhjetëvjeçar të parë të këtij shekulli të ri? Natyrisht, duhet thënë që në fillim se ky nuk duhet perceptuar e konsideruar si një skenar apokaliptik katastrofik. Problemi qëndron tek përkufizimi i kësaj krize globale, tek gjetja e shkaqeve strukturore të saj dhe masat më efektive të tejkalimit të shpejtë të saj. Përpjekja e parë është një analizë krahasuese. Me cilën nga krizat e mëparshme mund të krahasohet kjo krizë, simptomat e së cilës janë njëkohësisht financiare, monetare, ekonomike, ushqimore, energjitike dhe ekologjike? Cila do pritet të jetë “amplituda në shkallën Richter” e tërmetit ekonomik, financiar e social të saj? Më e fortë apo më e dobët se “depresioni i madh” i viteve 1929-1932?, e ngjashme me krizën e viteve 70-të të shekullit të kaluar, e provokuar nga “kriza e naftës” e vitit 1973 dhe e shoqëruar me efektet të rënda ekonomike e financiare për shumë vende të botës?..krahasohet ajo me thirjen e themeluesve të “Klubit të Romës” në vitin 1972 për “të stopuar rritjen e shfrenuar ekonomike në mënyrë që të evitohet konsumi pa kthim i burimeve të planetit”, që do të bëhej real në fund të shekullit të XXI-të nqs vazhdohet me këtë model konsumi e zhvillimi që sot konsiderohet simbol i zhvillimit dhe mirëqënies?...apo me krizën “e internetit” të vitit 2000? Ekspertët mendojnë se këtë rradhë problemi duhet vlerësuar nën një kënd-vështrim tjetër, shumë më kompleks. Zgjidhjet e ofruara deri tani për daljen nga krizat e mëparshme nuk po konsiderohen “receta” të vlefshme për krizën aktuale.

Debati i parë në kërkim të zgjidhjes ka të bëjë me raportet e saj me kapitalizmin. Sipas mendimit të tre ekonomistëve të shquar, R.Boyer, M.Dehove dhe D.Plihon “krizat financiare ritmojnë dhe kompozojnë vetë historinë e kapitalizmit”, duke marrë shpesh “formën e krizave binjake apo trinjake”, dmth, një përzjerje të problemeve të bursës me ato financiare dhe ekonomike bashkë. Në këtë mënyrë, këta autorë evidentojnë “karakterin tashmë të vjetër të ndërlidhjes së tregjeve të natyrave të ndryshme” në kapitalizëm. Sipas tyre, “krizat kanë ardhur duke u shtuar, sidomos mbas zhdukjes së marrëveshjes së Bretton-Ëoods në vitin 1971, që shënoi fundin e sistemit të përqindjes fikse të këmbimit, e vendosur menjëherë pas luftës së dytë botërore”. Por, Hautcoeur, profesor i ekonomisë në EEP (Paris) e relativizon problemin kur thotë se “kur bëhet fjalë për gjërësinë dhe shtrirjen e krizës aktuale, ne duhet të ndajmë qartë mekanizmat që e shkatuan nga efektet e prodhuara prej tyre”...”megjithë retë e zeza në horizont, FMN dhe OCDE vlerësojnë se rritja ekonomike botërore për 2-3 vitet e ardhshme do të jetë në nivelet 3.5-4%, sidomos falë motorit të ekonomisë kineze e indiane, por me kusht që ato të mos mbinxehen”.Pra, konkludon Hautcoeur, “në këtë moment nuk mun dtë jemi të sigurtë se bota po kalon një krizë ekonomike e financiare radikale”. Të njëjtin opinion ndan dhe ekonomisti tjetër Ph.Chalmin kur shprehet se “problemi duhet të relativizohet akoma më shumë....intensiteti i krizës aktuale është i fortë, por të gjithë ne duhet të kujtojmë se gjatë krizës së viteve 1970, të gjithë u trembën aq shumë sa lajmëruan lindjen e një rregulli të ri botëror, gjë që nuk u vërtetua”.

Por, përtej këtyre analizave më pak alarmiste, ka edhe një grup tjetër ekonomistësh, financierësh, sociologësh e historianësh të cilët krizën aktuale e cilësojnë si “ të jashtëzakonshme dhe të shumëfishtë”. Ata konfirmojnë se “deri më sot në ekonominë botërore nuk është parë asnjëherë një volatilitet kaq i madh në tregjet financiare dhe ato të lëndëve të para”. Sipas tyre, “referencat në krizën e vitit 1974 nuk vlejnë”. Sipas JP.Betbeze, kjo vërtetohet më së miri nga fakti se “në 2 janar 2008, nafta kushtonte 100 USD/baril, gjë që u konsiderua si rekord historik, në 25 prill 2008, nafta arriti në 117.6 USD/baril, dhe në ditët e para të majit ju afrua frikshëm çmimit prej 120 USD/baril”. Sipas tij, këtë rradhë “ne po përballojmë krizën më të madhe të fund shekullit të XX-të dhe fillimit të shekullit të XXI-të”. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për një skemë klasike të një krize amerikane, europiane, japoneze apo të një rajoni tjetër të botës që mbasi është prodhuar vetë po vazhdon të ndotë rajonet e tjera të globit. Këtë herë “kemi të bëjmë me një skemë të panjohur deri tani, me një skemë që ndërlidh ngushtë kriza të vecanta e deri tani të vlerësuara si të shkëputura nga njëra-tjetra. Duke ju referuar konkluzioneve të një grupi tjetër autorësh, “në SHBA ne kemi aktualisht krizën e një vendi “mbytur në borxhe të brendshme e të jashtëme”; në Europë kemi të bëjmë me krizën e një rajoni shtetet anëtare të të cilit nuk po e zgjidhin dot qeverisjen politike të BE-së duke penguar kështu hartimin e një strategjie ekonomike efektive; në vendet e quajtura emergjente, ne po asistojmë në shfaqjen e mjaft elementëve të një krize klasike të mbinxehjes ekonmike dhe rritmit të pakontrolluar të rritjes; ndërsa në vendet e varfëra kemi një përkeqësim të vazhdueshëm të situatës ekonomike, politike e sociale duke u ndjerë të përjashtuarit e mëdhenj të globalizimit”. Aq më tepër insiston Betbeze, “loja aktuale ndërmjet aktorëve të kësaj krize nuk është një lojë kooperuese, por individuale. Kështu, p.sh., rënia e dollarit nuk rregullon asgjë në Europë e cila po shqetësohet për shtrenjtimin e eksporteve të saj ; nga ana e tyre, kinezët refuzojnë me forcë e vendosmëri cdo kërkesë për një rivlerësim të monedhës së tyre duke mos ju krijuar mundësi vëndeve perëndimore që të përmirësojnë kompetivitetin e mallrave dhe shërbimeve të tyre, etj.”.

Në përfundim të këtyre analizave, mund të konkludohet me komentin e njërit nga ekonomistët më të shquar në historinë e krizave botërore, P.Bezbakh, i cili e konfirmon plotësisht këtë kompleksitet e ndërvarje të interesave në botën e sotme. Sipas tij, “vendet në zhvillim ose të quajtura ndryshe “të jugut” nuk janë më në pozicionine të dominuarve...ato janë tashmë të integruara në konkurencën botërore. Përsa i përket grupit të vendeve të europës qëndrore e lindore, edhe ato janë tashmë të konvertuara me rregullat e ekonomisë së tregut dhe tregut botëror. Pra ne ndodhemi tashmë përpara një shumëllojshmërie aktorësh interesat e të cilëve janë shumë divergjente me njëri-tjetrin”. Nga ana e tij, P.Artus (Natixis) e shikon thelbin e problemit tek “natyra e vetë kapitalizmit dhe stadi i zhvillimit aktual të tij”. “Fuqitë perëndimore nuk kanë tashmë mundësi që tja pasojnë apo shkarkojnë të tjerëve koston e krizës siç bënë në vitet 1929-32 duke ulur çmimet e lëndëve të para”.”Faji nuk është tek globalizimi por tek mënyrat dhe filozofia e menaxhimit të tij”.

Aktualisht, kapitalizmi ka ardhur në një pikë kritike që kërkon zgjidhje radikale në mënyrat e kompozimit dhe menaxhimit të tij. Dhe brënda këtyre mënyrave, pyetjet që kërkojnë zgjidhje të reja janë : a duhet të vazhdojë të jetë modeli amerikan apo perëndimor i zhvillimit dhe konsumit i vetmi model dominues në shekullin e XXI-të?, a mundet që vetëm një grup vendesh apo institucionesh ndërkombëtare të vendosin për gjithshka në zhvillimin ekonomik-social të botës?, a kanë limit burimet natyrore të planetit dhe a duhet që zhvillimi i qëndrueshëm të bëhet kryefjala e cdo modeli zhvillimi?, etj. Kriza aktuale po i kërkon më shumë se kurrë përgjigjet e duhura.

Qeverisja globale antikrize

ADRIAN CIVICI

Megjithëse ka mbi dhjetë vjet që është krijuar, duket se tani erdhi koha që të dalë në skenë roli i vërtetë i G20. Misioni i saj kryesor i sintetizuar si “qeverisja e ekonomisë globale” lindi në përgjigje të nevojës për të përballuar krizat, dhe me sa duket po konsolidohet pikërisht në këtë përballje globale me krizën aktuale. E krijuar në shtator të vitit 1999 dhe e mbledhur për herë të parë në dhjetor të po atij viti në Berlin, G20 përmbledh tetë vendet më të zhvilluara të botës (SHBA, Japoni, Gjermani, Francë, Angli, Itali, Kanada dhe Rusi), dhjetë vende me ekonomi në zhvillim të shpejtë ose siç quhen ndryshe “ekonomi emergjente” (Afrikën e Jugut, Arabinë Saudite, Argjentinë, Brazil, Kinë, Koreja e Jugut, India, Indonezia, Meksika dhe Turqia) si dhe Australinë dhe BE-në në tërësinë e tij të përfaqësuar nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane. Për të kuptuar se sa e fokusuar në problematikën financiare dhe ekonomike globale është ky organizëm, mjafton të përmendim faktin se anëtarë të përhershëm të forumeve të tij janë ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të 20 vendeve pjesëmarrëse të tij. Grupi i tetë vendeve më të industrializuara të botës, që deri tani dukej se kishte pushtetin dhe të drejtën e diskutimit, analizave dhe vendimmarrjes më të rëndësishme në nivel global, duket se “po shkrihet” në G20 duke krijuar kështu dy premisa strategjike që garantojnë gjithnjë e më shumë stabilitet për ekonominë e planetit, dhe mbi të gjitha, rrisin sigurinë për parandalimin apo menaxhimin e suksesshëm të krizave. Nga një “klub” pothuajse verior siç ishte G8, tashmë G20 po bëhet një “tryezë e rrumbullakët” shumë më përfaqësuese në nivel global. Ekonomitë e vendeve anëtare të saj prodhojnë aktualisht rreth 85% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të botës. Në këtë mënyrë, shumë nga kontradiktat e vjetra të tipit “veri-jug” apo “vende të zhvilluara – vende në zhvillim” etj., duket se po eliminohen. Vendimmarrja për problemet globale duket se po bëhet edhe vetë plotësisht globale duke garantuar nivel të gjerë përfaqësimi e pjesëmarrjeje. Tashmë objektivi i saj është i qartë: “Zhvillimi dhe mbështetja e një rritje të qëndrueshme në botë, pa disekuilibra financiare dhe tregtare që ndikojnë në shpërthimin dhe përhapjen globale të krizave”.
Megjithëse e projektuar për t’u mbledhur një herë në vit, takimi aktual i Pittsburgh-ut në SHBA është i treti brenda një viti. Në sytë e të gjithëve, G20 u shfaq menjëherë si një nga “instrumentet dhe mundësitë e arta që bota kishte në dispozicion për të përballuar krizën aktuale globale ekonomiko-financiare”. Dhe jo rastësisht amerikanët dhe Presidenti Obama duket se kanë zgjedhur Pittsburg-un, dikur kryeqytet industrial i hekurit dhe çelikut, simbol i zhvillimit që objektiv të vetëm kishte prodhimin dhe fitimin pa u shqetësuar për stabilitetin social dhe mjedisin, ndërsa sot qytet model i orientuar tërësisht drejt zhvillimit të qëndrueshëm, teknologjive të avancuara dhe soft-ekonomisë. Mesazhi është i qartë: atë që ka arritur Pittsburgu duhet ta synojmë të gjithë. Vendimet më të rëndësishme që u morën në këtë takim mund të përmblidhen në disa drejtime fondamentale që presupozohet se do të garantojnë stabilitetin e ekonomisë dhe financave botërore në vitet në vazhdim. Në këtë kuadër, në përgjigje të mjaft zërave që kërkonin “zvogëlimin apo edhe ndërprerjen e planeve speciale mbështetëse ekonomiko-financiare anti-krizë të lançuara në SHBA, BE dhe në shumë vende të tjera të botës, u ra dakord në unanimitet që “masat mbështetëse monetare dhe buxhetore të aplikuara deri tani duhet të vazhdojnë në mënyrë që të mos cenohet ringritja ekonomike”. Me gjithë optimizmin e moderuar të FMN-së, OCDE-së, Bankës Qendrore Europiane, Federal Reserve, etj., për fillimin e daljes së ekonomisë botërore nga kriza dhe shfaqjen e mjaft shenjave inkurajuese drejt stabilitetit dhe rritjes, përsëri, përsëri, drejtuesit kryesorë të vendeve të G20 preferuan të tregohen të kujdesshëm dhe të rekomandojnë vazhdimin edhe për disa muaj të tjerë të këtyre paketave mbështetëse financiare, monetare e lehtësirave të ndryshme fiskale. Në këtë mënyrë të gjithë mund të jenë të sigurt se kriza do eliminohet dhe ekonomia botërore, për pasojë dhe ekonomitë e vendeve të veçanta do fillojnë një cikël të ri rritjeje e zhvillimi të stabilizuar. Përveç vendeve të G20, kjo thirrje apo rekomandim ju bëhet të gjitha qeverive të vendeve të tjera të botës që të mos përfshihen nga euforia se “kriza mbaroi”, se tashmë “nuk ka më nevojë të vazhdojmë me plane speciale antikrizë”, apo se “meqenëse vendet e zhvilluara po dalin nga kriza, efektet pozitive të kësaj dukurie do transmetohen menjëherë edhe tek ekonomitë e vendeve të vogla, të varfra apo ato në zhvillim”.
Përveç ndikimeve direkte të evidentuara në shumë ekonomi të vendeve të botës si pasojë e krizës globale, ekspertët e G20 rekomandojnë edhe realizimin e një “skaneri” kombëtar apo rajonal për të evidentuar ato efekte që kanë ardhur si pasojë e defekteve strukturore, shkallës së integrimit me tregun global, nivelit të ulët të konkurrueshmërisë dhe përfshirjes akoma simbolike të shumë vendeve në ekonominë e dijes dhe adoptimin e inovacioneve. Për një gjë duket se të gjithë janë të sigurt: ekonomia e periudhës post-krizë, pra ekonomia e vitit 2010 e përtej nuk do jetë ajo që po lemë pas. Globalizimi po e shton presionin e kompetivitetit dhe tashmë koha e “avantazheve krahasuese” të Ricardos duket se ka kaluar plotësisht në favor të kohës së “avantazheve konkurruese” që krijohen me politika ekonomike-financiare e sociale të miradresuara. Në këtë këndvështrim, Shqipëria ka një rrugë të gjatë e të vështirë përpara, aq më tepër që përtej disa arritje pozitive të vlerësueshme në fushën e përmirësimit të klimës së biznesit dhe legjislacionit, kemi akoma shumë për të bërë në drejtim të rritjes së kompetivitetit të produkteve tona, në drejtim të futjes së teknologjive të reja dhe inovacioneve, në drejtim të sofistikimit të biznesit apo çështjeve të kërkim-zhvillimit në të gjitha nivelet. Vendimi i dytë tepër i rëndësishëm dhe ndoshta nga më fondamentalët të marrë në këtë “klimë hapjeje dhe partneriteti global” është dhe ai i rritjes së influencës së vendeve me ekonomi emergjente në vendimmarrjen dhe strategjitë e FMN-së. Pesë për qind e “peshës” së këtij institucioni do të ndryshojë duar duke iu kaluar pikërisht vendeve si Kina, India, Brazili, etj. E gjithë kjo përkthehet si një ndryshim apo ekuilibrim i të drejtës së votës apo peshës së saj në vendimmarrjen e FMN, konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt një barazie më të madhe ndërmjet vendeve të “Veriut” me ato të “Jugut”, etj. Riekuilibrimi i të drejtës së votës në gjirin e FMN-së u gjykua si mjaft vendimtar për të rivendosur besimin e mjaft vendeve të botës, sidomos ato me peshë të rëndësishme ekonomike e financiare në ekonominë botërore, tek institucioni më prestigjioz i botës, i cili ka si mision survejimin e koordinimit makroekonomik të të gjithë vendeve të planetit, tashmë duke patur si ortak edhe G20. Ky vendim është i rëndësishëm edhe për faktin se eliminon të famshmen “auto-sigurim”, që shumë nga vendet emergjente filluan të praktikonin mbas krizës aziatike të vitit 1998, si pasojë e vlerësimit të tyre negativ për mënyrën se si i merrte vendimet FMN-ja, duke e akuzuar atë se “impononte receta perëndimore”. Në këtë mënyrë, eliminohet apo të paktën reduktohet efekti negativ i “auto-sigurimit” në destabilizimin e tregtisë botërore dhe nivelin e zhdrejtë të kompetivitetit ndërmjet vendeve të zhvilluara perëndimore dhe atyre me ekonomi emergjente.
Së fundi, një masë tjetër e rëndësishme e aprovuar është dhe vendosja e një kuadri rregullash që kanë të bëjnë me “fiksimin e bonuseve për menaxherët e tregut financiar” të quajtur ndryshe dhe si “golden boys”. Natyrisht që nuk mund të vendosej një kufi i caktuar individual për çdo “traders”, por ajo që vlerësohet si themelore janë disa parime të rëndësishme të fiksuara nga ana e Këshillit të Stabilitetit Financiar, institucioni më i ri i ngarkuar me sigurimin e supervizionit financiar botëror në lidhje me këtë çështje. Me gjithë divergjencat e dukshme ndërmjet amerikanëve dhe europianëve për këtë çështje, G20 arriti të fiksonte “një linjë të kuqe” limitimi të këtyre bonuseve marramendëse të deritashme. Në lidhje me “parajsat fiskale” të trajtuara gjerësisht dhe në samitin e parafundit të G20 në Londër, në prill të këtij viti, u ra dakord që të vendosen sanksione të forta për të gjithë ato vende që nuk garantojnë transparencë maksimale për origjinën dhe menaxhimin e shumë fondeve e investimeve.

Nobeli 2009 Ekonomi

ADRIAN CIVICI

Në këtë gjendje të trazuar në të cilën ndodhen financat dhe ekonomia botërore, emri i ekonomistit që do laureohej me çmimin Nobel në ekonomi për vitin 2009 u prit me mjaft interes nga të gjithë. Më shumë se sa thjesht vlerësimi apo kurorëzimi i përpjekjeve shkencore apo teorisë së tij, këtë vit ky çmim shihet edhe si një mesazh i lidhur me shqetësimin më të madh të këtyre dy viteve të fundit. Pse lindi kjo krizë e vështirë financiare? Kush është fajtori apo fajtorët? Si mund të dilet sa më me pak dhimbje prej saj? A kanë qenë të drejta masat që u morën për përballimin e saj? Dhe në fund të fundit: sa i vlefshëm është ky mesazh për të ardhmen? «Bookmaker”-sat e kësaj fushe kishin javë që ofronin “bastet” e tyre. Më i favorizuar dukej ekonomisti amerikan W.Fama i shkollës së biznesit në universitetin e Chicago-s me teorinë e tij mbi «tregjet eficente». Pas tij renditeshin si favoritë edhe P.Romer i Universitetit të Stanford-it, i njohur për studimet e thelluara në «ndikimin e teknologjive të reja në rritjen ekonomike dhe zhvillimin» dhe idenë e organizimit të qyteteve sipas rregullave precize që stimulojnë zhvillimin; K.French i Universitetit të Dartmouth-it, R.Barro i Harvard-it dhe E.Fehr i universitetit të Zyrihut. Por, qarqet akademike dhe ato politike u treguan të matura deri në minutën e fundit për të qenë të sigurt se kush do ta fitonte Nobel-in në ekonomi. Aq më tepër që në dhënien e këtij çmimi surprizat janë çdo çast prezente. Presidenti Obama që fitoi Nobel për Paqen këtë vit, ishte renditur i 26 nga bookmaker-sat në parashikimet e tyre. E veçanta e çmimit Nobel në Ekonomi është se deri më sot atë nuk e ka fituar akoma asnjë grua.
Dhe me sa duket, këtë vit ndodhi surpriza e madhe. Çmimi jo vetëm që nuk iu dha asnjë prej «pretendentëve» të evidentuar, por mbi të gjitha iu dha ekonomistes amerikane Elinor Ostrom e universitetit të Indiana-s, femra e parë që do mbajë këtë çmim në gjithë historinë e çmimeve Nobel në Ekonomi si dhe ekonomistit amerikan Olivier E.Williamson i universitetit të Bercley në Kaliforni. Të dy ekonomistët u vlerësuan për punimet e tyre në fushën e «qeverisjes ekonomike», dhe në mënyrë më specifike: Ostrom për demonstrimin se si «bashkëpronësia mund të administrohet në mënyrë efikase nëpërmjet shoqatave të përdoruesve», dhe Williamson për evidentimin e faktit se si «tregjet dhe organizatat hierarkike, nga këndvështrimi i ndërmarrjeve, kanë struktura qeverisjeje alternative të cilat dallohen nga mënyra se si i zgjidhin konfliktet e interesit». Siç duket, çmimi Nobel në Ekonomi vazhdon të mbetet «pronë» e amerikanëve, të cilët kanë fituar 45 të tillë, nga 64 gjithsej të atribuuar deri më sot.
Mesazhi themelor i këtij çmimi Nobel duket se është pikërisht interesi dhe rëndësia e madhe që po merr çdo ditë e më tepër koncepti dhe praktikat e «qeverisjes ekonomike» si në plan mikro ashtu dhe në atë makro, për të ardhur deri tek ideja e një qeverisje ekonomike globale. Nga kriza e tanishme u nxor një konkluzion fondamental: niveli i lartë i globalizimit të ekonomisë, tregjeve apo financave botërore e favorizoi shumë përhapjen e shpejtë të krizës në gjithë globin si dhe infektimin prej saj të pothuajse të të gjithë vendeve të botës. Edhe recetat për daljen prej saj, dhe mbi të gjitha për të krijuar një sistem mbrojtës e imunizues për të ardhmen, duket se kalojnë përsëri nëpërmjet «përmirësimit të sistemit të qeverisjes globale». Konkluzionet e takimeve të fundit të G20, OKB-së, FMN-së dhe Bankës Botërore, OBT-së, Bankave Qendrore, Bashkimit Europian etj., kanë nxjerrë në evidencë një mesazh të qartë: «është urgjente që të krijohet një sistem i ri rregullimi e qeverisjeje botërore bazuar në parime më të drejta të shpërndarjes e proporcioneve të vendimmarrjes në nivel global, në rregulla më të qarta për tregtinë botërore, funksionimin dhe transparencën e sistemit financiar ndërkombëtar, administrimin e të mirave publike globale si dhe mënyrat e përdorimit të shpenzimeve publike». Dialogu dhe konsensusi i «aktorëve» ekonomikë e institucionalë në të gjitha nivelet është çelësi i zgjidhjes së shumë problemeve në raport me sfidat ekonomike, financiare, sociale e mjedisore që po përballet sot globi, qofshin këto sfida lokale, kombëtare apo ndërkombëtare. Ekonomistët e laureuar i përkasin rrymës «institucionaliste» në ekonomi, e cila e vë veçanërisht theksin në rolin e institucioneve dhe cilësinë e tyre në nxitjen apo frenimin e rritjes ekonomike, uljen apo ngritjen e kostos të produkteve apo aktiviteteve ekonomike e financiare, në rritjen apo uljen e nivelit të konkurrueshmërisë së ekonomisë së një vendi apo sektorëve të veçantë të tij etj. Aksionet dhe veprimet kolektive të koordinuara e në konsensus me objektiva të qarta ndërmjet aktorëve kryesorë të tyre si dhe e famshmja «kosto e transaksioneve» në të gjitha nivelet mikro e makro duket ka përbërë edhe pikën nevralgjike që e ka shtyrë komisionin e Akademisë Suedeze të Shkencave që të atribuojë këtë çmim në 2009. Punimet e dy nobelistëve të rinj janë shumë koherente me shqetësimin aktual. Gjatë njoftimit të fituesve, anëtari i komitetit Nobel e theksoi qartë se, «ata duan të kuptojnë organizatat që nuk janë thjesht treg.... dhe të tregojnë se si këto institucione mund të zgjidhin konfliktet».
Ideja e parë për të patur një «çmim Nobel» në ekonomi vjen nga P.Asbrink, guvernator i Bankës suedeze që është Banka Qendrore më e vjetër e botës. Në kuadrin e 300-vjetorit të bankës, Asbrink krijoi një fondacion kërkimor të quajtur «Fondacioni i jubileut të Bankës së Suedisë» dhe i propozoi këshilltarit të tij ekonomik A.Lindbeck si dhe ekonomistëve të shquar E.Lundberg dhe G.Myrdal që të reflektonin për mundësinë e krijimit të një titulli të veçantë të «çmimit Nobel» në ekonomi. Institucionalisht, ideja u shtrua për diskutim në një takim të përbashkët të Bankës së Suedisë, Fondacionit Nobel dhe Akademisë Mbretërore të Shkencave të Suedisë. Shumë anëtarë të Akademisë Mbretërore, duke patur parasysh procedurat dhe përmbajtjen e dhënies së këtij çmimi në shkencat ekzakte, shfaqën rezerva për aspektin rigoroz shkencor të shkencës së ekonomisë. Por Lundberg dhe Myrdal arritën të jepnin argumentet e nevojshme përballë skepticizmit të Akademisë Mbretërore, duke bërë që votimi në favor të akordimit të këtij titulli të bëhej në unanimitet. Në maj të 1968, Banka e Suedisë, Fondacioni Nobel dhe Akademia Mbretërore ranë zyrtarisht dakord për rregullat dhe kriteret e atribuimit të «çmimit Nobel» në ekonomi, të cilat u kodifikuan nga Qeveria suedeze në janar 1969. Komiteti i parë i vlerësimit të kandidaturave përbëhej nga: B.Ohlin (President i komitetit, Shkolla Ekonomike e Stokholmit); E.Lundberg (Shkolla Ekonomike e Stokholmit); I.Svennilson (Universiteti i Stokholmit); H.Wold (Universiteti i Upsalas-ë, Universiteti i Goteborgut); A.Lindbeck (Universiteti i Stokholmit). Çmimi Nobel në ekonomi është i vetmi çmim që jepet nga Fondacioni Nobel pa qenë pjesë e specifikuar e testamentit të Alfred Nobel, por ai i nënshtrohet të gjitha rregullave të çmimeve të tjera Nobel. Ashtu si për çmimet në fushën e fizikës, kimisë, mjekësisë etj., ai jepet në datën 10 dhjetor të çdo viti nga mbreti i Suedisë në përgjigje të zgjedhjes së bërë nga Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë. Duke filluar nga viti 2006, pjesa monetare e këtij çmimi është 10 milionë korona suedeze ose afërsisht 1 milion euro.
Çmimi Nobel në ekonomi është bërë shpesh objekt debatesh e diskutimesh të shumta, pjesa dërrmuese të cilave konvergojnë në mendimin dhe pretendimin se Alfred Nobel nuk kishte menduar kurrë të jepte një çmim për këtë disiplinë si dhe në pretendimet se ekonomia nuk mund të cilësohet dhe vlerësohet si një disiplinë shkencore e mirëfilltë. Frederich Hayek, përfaqësues i shkollës liberale austriake të ekonomisë dhe laureat i çmimit Nobel në ekonomi në 1974, shprehej se “po të kishin kërkuar mendimin e tij mbi këtë çmim, ai nuk do ta kishte inkurajuar këtë iniciativë”. Ndërkohë, Gunnar Myrdal, gjithashtu laurat i këtij çmimi ka deklaruar se, “arsyeja pse ky çmim nuk duhet të jepet është pikërisht fakti se ai iu akordua një konservatori si Hayek-u”. Zgjedhja e laureatëve kritikohet dhe për faktin se ajo favorizon shpesh ekonomistët e cilësuar si “ortodoksë”, që pothuajse të gjithë i përkasin “Shkollës së Çikagos” dhe janë amerikanë. Ky lloj qëndrimi konstatohet vetëm në rastin e çmimit në ekonomi, sepse në rastet e fushave të tjera nuk konstatohet një ndjeshmëri e tillë. Një tjetër qëndrim kritik është dhe dyshimi se a ka më të vërtetë çdo vit ekonomistë aq të shquar që mund të meritojnë çmimin Nobel, apo thjesht për hir të çmimit duhet gjetur pa tjetër një ekonomist i shquar. Në përgjigje të këtij shqetësimi, duke filluar nga viti 1995, Akademia Mbretërore e Suedisë e zgjeroi spektrin e dhënies se këtij çmimi, në radhë të parë duke modifikuar strukturën e komitetit vlerësues (futjen e dy jo ekonomisteve në jurinë prej 5 deri 8 anëtarësh) dhe së dyti, duke pranuar kandidatura të shkencave politike, psikologjike e sociologjike, të cilat gjykohen se kanë një impakt të dukshëm mbi ekonominë. Kështu, në listën e të laureuarve të viteve të fundit janë dhe figura të shquara si Daniel Kahneman, Robert J. Aumann dhe Thomas C. Scelling, të cilët nuk janë ekonomistë.